Kryediplomati maqedonas në Kosovë, kërkon heqjen e takës për produktet e këtij vendi

Kryediplomati maqedonas në Kosovë, kërkon heqjen e takës për produktet e këtij vendi

19:07, 20/07/2018

Kryediplomati maqedonas Nikola Dimitrov është përgëzuar nga drejtuesit e institucioneve në Kosovë për arritjen e marrëveshjes për emër mes Maqedonisë dhe Greqisë. Gjatë qëndrimit të Dimitrov në Prishtinë, Kryeparlamentari Veseli i ka thënë atij se zgjidhja e kësaj çështje është sinjal i mirë për të ardhmen evropiane të Ballkanit. 

Dimitrov në Prishtinë ka shprehur gatishmërinë e tij që të ndihmojë Kosovën në shtyrjen përpara të procesit të vizave, raporton Gazeta Express. 

Nga ana tjetër, Veseli ka shprehur besimin se edhe liberalizimi i vizave për Kosovën dhe sidat tjera të vendeve ballkanike do të tejkalohen sikur çështja e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë. 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, në pritjen që i ka bërë të premten ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, së bashku kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet që Kosova dhe Maqedonia kanë ndërtuar ndër vite, si dhe për mundësinë e avancimit të tyre në të gjitha sferat e bashkëpunimit, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve. 

“Kryeparlamentari Veseli theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të kultivuar më tej frymën e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Maqedoninë, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe synimeve të përbashkëta euro-atlantike. Veseli shprehu besimin se liberalizimi i vizave për Kosovën, zgjidhja e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe shumë sfida tjera që tashmë po gjejnë zgjidhje, janë sinjal i mirë për të ardhmen evropiane të Ballkanit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, pas takimit. 

Po ashtu, aty thuhet se Veseli i ka thënë ministrit maqesondës se autostrada “Arbën Xhaferi” e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin, do ta lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe shkëmbimet tregtare. 

Bëhet e ditur se Veseli ka theksuar edhe nevojën që edhe Maqedonia të përfundojë pjesën e saj të autostradës. 

E njoftimi thotë se kryediplomati i Maqedonisë, Dimitrov, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, ka theksuar nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke iu dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërparlamentare. 

Dimtrov, para se të takohet me Veselin, ka qëndruar në zyrë tek homologu i tij kosovar, Behgjet Pacolli, shkruan Gazeta Express. 

Behet e ditur se kryediplomati nga Maqedonia, në takim me Pacollin, ka vlerësuar, nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë e palës maqedonase për vazhdimin dhe rritjen e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit reciprok.

Ai, po ashtu, sipas njoftimit të MPJ’së, ka uruar homologun kosovar për rekomandimin pozitiv të KE-së për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë e tij që të ndihmojë në shtyrjen e këtij procesi përpara. 

Gjatë takimit Dimitrov-Pacolli është diskutuar edhe mbi masat mbrojtëse, respektivisht taksën doganore që Qeveria e Kosovës morri pak ditë më herët ndaj importit të disa produkteve nga Maqedonia dhe për kohën e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët në mes dy Qeverive, e cila pritet të mbahet së shpejti.

Edhe Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, në takimin dy-palësh ka uruar homologun e tij maqedonas për arritjen e Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit mbi emrin me Greqinë dhe pranimin e ftesës për tu bërë anëtare e NATO-s. 

MPJ, në një njoftim të saj thotë se theks të veçantë, në takim i është dhënë ngritjes së bashkëpunimit ekonomik, turizmit, bashkëpunimit doganor, aspekteve të shëndetësisë, si dhe mundësive të reja për zhvillimin e dy Republikave.

Pacolli, ka vlerësuar se këto takime si ato edhe të nivelit më të lartë shtetëror në gjitha nivelet dëshmojnë për një stad cilësor të institucionalizimit të marrëdhënieve mes institucioneve të të dyja vendeve dhe mund të shërbejnë edhe si shembull  bashkëpunimi në rajon.

“Kosova, natyrshëm, i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë dhe vlerëson se ato janë në nivel mjaft të mirë. Konstatojmë se edhe Maqedonia natyrshëm i konsideron si mjaft të mira marrëdhëniet me ne dhe se dy palët kemi shprehur vullnet pozitiv për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ne kemi arritur të nënshkruajmë 21 Marrëveshje në mes dy vendeve. Kemi në proces 4 nisma të reja dhe disa Memorandume ”, citohet të ketë thënë Pacolli. 

Pas Pacollit dhe Veselit, Nikola Dimitrov është pritur në takim nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco