Pagat e larta të kabinetit Haradinaj indinjojnë dhe BE, Apostolova: Vendimi të kthehet mbrapsht

Pagat e larta të kabinetit Haradinaj indinjojnë dhe BE, Apostolova: Vendimi të kthehet mbrapsht

13:25, 21/06/2018

Shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalia Apostolova, e ka kritikuar ashpër vendimin për rritje të pagave për zyrtarët qeveritarë, të cilin e mbështeti Gjykata Kushtetuese, duke pretenduar se nuk janë gjetur shkelje. Kjo situatë, për Apostolovën, është në kundërshtim me qëllimet e tyre ndaj administratës publike të Kosovës. Qeveritarëve u janë rritur pagat deri në 100 për qind.

Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i ka shkuar në favor  vendimi i Kushtetueses, kur vendosi që pagat të cilat vendosën të rriten muaj më parë por që u pezulluan, të procedohen dhe të dalin në rritje. Por, ky vendim, i cili mori kritika të shumta nga opozita por edhe shoqëria civile, ka indinjuar edhe Bashkimin Evropian.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ka thënë për Gazetën Express se vendimi i rikthyer "ad hoc" për pagat është në kundërshtim me qëllimet e tyre të përbashkëta për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë, merituese, koherente dhe llogaridhënëse.

“...ndaj dhe duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat”, është shprehur ajo.

Apostolova ka shprehur keqardhjen që më 12 qershor, Qeveria riktheu vendimin e saj për rritje ad hoc të pagave për anëtarët e kabinetit, këshilltarë të caktuar, disa nëpunës të lartë civilë dhe stafin mbështetës të kabinetit qeveritar.

“Shpreh keqardhjen time për këtë vendim, pasi përgatitja e Projektligj për Pagat është në proces e sipër. Ky ligj do të rregullojë një herë e përgjithmonë pagat që paguhen nga buxheti i Kosovës me kritere objektive dhe të drejta. Ky ligj është pjesë e procesit të reformave në administratën publike e të cilin BE-ja e mbështet”, ka sqaruar ajo.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në vendimin e Kryeministrit nuk janë gjetur shkelje për rritjen e pagave.

Kësisoj, ky vendim nuk i ka dalë të jetë i favorshëm vetëm për qeveritarët. Po aq i favorshëm është edhe për kryetarin e Kushtetueses, sikurse edhe për zyrtarët e këtij institucioni. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco