Fisnik Asllani: Zgjodha Kosovën me zemër, pavarësisht mundësisë për Gjermaninë

Fisnik Asllani: Zgjodha Kosovën me zemër, pavarësisht mundësisë për Gjermaninë

09:18, 19/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani, ka shpjeguar arsyet pse vendosi të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke lënë pas mundësinë për të luajtur me Gjermaninë.

Në një intervistë për “BILD”, ai theksoi se vendimi ishte i diktuar nga ndjenja: “Pak pasi iu bashkova U-21 të Gjermanisë, vendosa me gjithë zemër. Ndjenja më thoshte se të luaj për Kosovën ishte zgjedhja e duhur”.

Asllani shtoi se lidhja me vendlindjen ka qenë vendimtare: “Jam shumë i lidhur me Kosovën. Çdo verë e kam kaluar atje dhe kam shumë familjarë. Megjithatë, jam falënderues ndaj federatës gjermane, sepse pa të nuk do të isha lojtari që jam sot”.

Sulmuesi rrëfeu edhe sakrificat e mëdha të familjes, sidomos të babait të tij: “Ai zgjohej në orën katër ose pesë të mëngjesit, udhëtonte mbi një orë dhe punonte gjithë ditën. Pastaj vinte direkt në stërvitje për të më parë.

Pas stërvitjes ktheheshim në shtëpi vonë në mbrëmje. Nëna kishte përgatitur darkën, haja shpejt, bëja detyrat dhe kjo rutinë përsëritej çdo ditë”.

Në fund, ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme të familjes:

“Babai gjithmonë më thoshte se do të ishte pranë meje në çdo hap. Për mua kjo ishte diçka normale, sepse familja ka qenë gjithmonë forca ime”.

Tashmë, Fisnik Asllani synon të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt Botërorit 2026, ku sfida e radhës është ndaj Sllovakisë më 26 mars.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco