Modelja dhe aktorja britanike Cara Delevingne ka bërë një nga rrëfimet më të forta të jetës së saj, duke folur hapur për periudhën kur varësia nga droga e çoi pranë vdekjes.
E ftuar në podcastin “The Louis Theroux Podcast”, 33-vjeçarja zbuloi se përfundoi në spital pas konsumimit të kokainës, e cila, sipas saj, dyshohet se ishte e përzier me opioide. Mjekët i administruan nalokson për t’i shpëtuar jetën.
“Më dhanë nalokson dhe u zgjova në spital. Kur hapa sytë, gjithçka ndryshoi. Doja të vdisja. Të shihja dhimbjen në fytyrat e njerëzve që doja ishte një nga gjërat më të dhimbshme që kam përjetuar,” rrëfeu Delevingne.
Ajo u ndal edhe te fotografitë e realizuara në vitin 2022 pas festivalit Burning Man, të cilat bënë xhiron e mediave në mbarë botën. Modelja tregoi se pak çaste përpara se të fotografohej kishte pësuar një krizë epileptike të shkaktuar nga përdorimi i lëndëve narkotike.
Sipas saj, publikimi i atyre imazheve pati pasoja të drejtpërdrejta në karrierën e saj profesionale.
“Humba punë si modele. Të gjithë u shqetësuan për mua. Ishte një periudhë e tmerrshme,” u shpreh ajo.
Delevingne theksoi se ajo përvojë u kthye në pikën e kthesës së jetës së saj, duke e shtyrë të kërkonte ndihmë të specializuar dhe të niste një program rehabilitimi.
Sot, modelja e konsideron atë moment si fillimin e rrugës së saj drejt rikuperimit, ndërsa shpreson që historia e saj të shërbejë si një mesazh ndërgjegjësues për të tjerët që përballen me varësinë.
© SYRI.net