Shumë persona kanë prirjen t’i shtrydhin puçrrat sapo ato shfaqen në fytyrë, por mjekët dhe specialistët e kujdesit të lëkurës theksojnë se ky është një nga zakonet më të dëmshme për shëndetin e lëkurës.
Sipas ekspertëve, prekja dhe shtrydhja e puçrrave me gishta rrit ndjeshëm rrezikun e infeksioneve. Përveç kësaj, bakteret mund të përhapen në zona të tjera të fytyrës, duke shkaktuar daljen e puçrrave të reja dhe përkeqësimin e gjendjes së lëkurës. Në disa raste, presioni i ushtruar mund të dëmtojë kapilarët e imët nën lëkurë.
Kur puçrra shtrydhet, një pjesë e përmbajtjes së saj del në sipërfaqe, por shpesh mbetjet e inflamacionit qëndrojnë në thellësi të lëkurës, gjë që mund të çojë në skuqje të zgjatur, irritim dhe në fund në shenja të përhershme.
Specialistët rekomandojnë që në vend të këtij veprimi të përdoren produkte të posaçme për pastrimin e fytyrës, përfshirë preparatet me përmbajtje të benzoil peroksidit, të cilat ndihmojnë në reduktimin e akneve. Në rastet më të rënda, këshillohet konsultimi me një dermatolog për trajtim profesional.
Gjithashtu, kujdesi i rregullt i lëkurës dhe përdorimi i maskave pastruese mund të ndihmojnë në mbajtjen e poreve të pastra dhe në parandalimin e inflamacionit.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse është një veprim i zakonshëm dhe i vështirë për t’u shmangur, shtrydhja e puçrrave mbetet një nga shkaqet kryesore të shenjave dhe dëmtimeve afatgjata në fytyrë.
© SYRI.net