Askush nuk mendon se mund të bjerë pre e një mashtrimi financiar në internet, derisa e përjeton vetë. Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se skemat mashtruese po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, duke prekur miliona përdorues çdo vit në mbarë botën.
Sipas statistikave më të fundit, vetëm gjatë vitit të kaluar janë raportuar rreth katër milionë raste të mashtrimeve financiare online, ndërsa shifra reale mund të jetë edhe më e lartë, pasi shumë viktima nuk i raportojnë rastet.
Vëmendja ndaj këtij fenomeni u shtua edhe pas rastit të Sam Little, ish-konkurrent i emisionit televiziv “The Traitors”, i cili zbuloi se kishte humbur rreth 40 mijë paund nga një mashtrim në internet. Ai deklaroi se e kishte konsideruar veten të kujdesshëm, por u detyrua të pranonte se askush nuk është plotësisht i mbrojtur.
Ekspertët identifikojnë tre skemat më të përhapura që po përdoren aktualisht nga mashtruesit.
Mesazhe të rreme për vjedhjen e të dhënave bankare
Një nga format më të zakonshme janë mesazhet që duken sikur vijnë nga persona të afërt ose institucione të njohura. Mesazhe të tipit “kam ndërruar numër” apo njoftime për probleme me paketa dhe dërgesa, përdoren për të shtyrë përdoruesit të klikojnë në lidhje të rreme.
Pasi viktimat futin të dhënat e tyre bankare, mashtruesit i përdorin ato për blerje ose transferta të paautorizuara.
Mashtrimet romantike në rrjet
Një tjetër skemë në rritje është ajo e mashtrimeve romantike. Autorët krijojnë profile të rreme në platforma njohjesh dhe ndërtojnë marrëdhënie emocionale me viktimat për një periudhë të gjatë kohe.
Më pas, pasi fitojnë besimin, kërkojnë para duke u justifikuar me emergjenca shëndetësore, probleme financiare ose nevojën për udhëtim për t’u takuar personalisht.
Investime të rreme me ndihmën e inteligjencës artificiale
Mashtrimet më të reja lidhen me skema investimi të fabrikuara, ku përdoren video dhe reklama të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Në to shpesh shfaqen figura të njohura publike që premtojnë fitime të shpejta dhe të mëdha.
Sipas ekspertëve, një nga taktikat kryesore të këtyre skemave është krijimi i ndjesisë së urgjencës, duke i shtyrë qytetarët të marrin vendime të nxituara pa verifikim.
Autoritetet këshillojnë qytetarët që të mos hapin linke të dyshimta, të mos ndajnë kode apo të dhëna bankare dhe të verifikojnë gjithmonë burimin e çdo komunikimi online.
Specialistët e sigurisë theksojnë se vigjilenca dhe verifikimi i informacionit mbeten mbrojtja më efektive ndaj një fenomeni që po zgjerohet me shpejtësi në hapësirën digjitale.
© SYRI.net