Humbja e parakohshme e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi në nëntor të vitit të kaluar ka lënë një boshllëk të thellë në zemrat e familjarëve dhe publikut që e ka ndjekur ndër vite. Edhe pse koha kalon, kujtimi për të mbetet i gjallë, sidomos përmes muzikës dhe trashëgimisë artistike që ai la pas.
Së fundmi, bashkëshortja e tij, Selvija, ka prekur ndjekësit në rrjetet sociale me një postim emocional në Instagram, ku ka bërë të ditur se Shpati ka lënë pas disa këngë të papublikuara, të cilat nuk arriti t’i sjellë për publikun sa ishte gjallë.
Në mesazhin e saj prekës, ajo shkruan:
“Ah Shpat… Të qanë të gjitha nënat shqiptare, dhe sot po i lë botës një këngë që flet për mallin e një djali në gurbet, që ëndërron ditën kur do të kthehet e do ta gjejë nënën duke e pritur. Sa e rëndë tingëllon sot kjo këngë… sepse një nënë ende pret zërin e djalit të saj, përqafimin e tij dhe trokitjen e tij në derë…”
Në vijim të dedikimit, Selvija thekson se ndien si një mision personal ruajtjen dhe publikimin e materialeve të lëna nga bashkëshorti i saj i ndjerë, në mënyrë që zëri i tij të mos shuhet kurrë.
Shpati ka lënë pas disa këngë që nuk arriti t’i publikojë, dhe edhe pse zemra më dhemb, e ndiej se kam për detyrë t’jua sjell juve, që zëri i tij të vazhdojë të jetojë mes nesh. Së shpejti në YouTube ‘NANA’.
Publikimi i këngës së re pritet të sjellë emocione të forta tek fansat e artistit, të cilët vazhdojnë ta kujtojnë Shpat Kasapin për kontributin e tij në muzikën shqiptare dhe hitet që ka lënë pas.

© SYRI.net