Trajneri personal, Bardhi: Trupi i verës nuk bëhet në pranverë, kërkon 6–12 muaj punë dhe disiplinë

Trajneri personal, Bardhi: Trupi i verës nuk bëhet në pranverë, kërkon 6–12 muaj punë dhe disiplinë

09:58, 19/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Trajneri personal, Ledian Bardhi në emisionin e sotëm “Kafe Shqeto” ngre alarmin për pritshmëritë e gabuara ndaj formës fizike para verës, duke theksuar se rezultatet reale kërkojnë kohë, disiplinë dhe stil jetese të shëndetshëm, larg “iluzioneve” të rrjeteve sociale.

Bardhi nënvizon se shëndeti duhet të jetë prioriteti kryesor mbi çdo objektiv estetik.

Ledian Bardhi

Është ndërmjet të dyjave, domethënë edhe realitetit edhe presionit. Do të thoja që duhet pak më shumë ndërgjegjësim. Unë e kuptoj që si unë, ashtu edhe shumë të tjerë e kanë punë tërheqjen e klientelës, por unë me klientët jam realist dhe u them që në fillim: çfarë do të bësh, çfarë kërkon dhe për sa kohë mendon ti se e bën trupin?

Dhe të gjithë vijnë në këtë periudhë para verës, prill, maj. Dhe ka ndodhur në shumë raste që ua kam prerë shkurt: nuk bëhet. Realisht. Realisht sepse është shumë e vështirë. Do të kesh rezultate shumë të vogla, të dukshme, por shumë të vogla, jo siç e mendojnë njerëzit.

Një trup, po themi, jo perfekt — sepse perfeksioni nuk është absolut — do gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj, ndoshta edhe më shumë, sepse varet nga personi. Pra, trupin e verës do ta bësh gjatë dimrit.

Ok? Kështu që pastaj janë edhe shumë faktorë të tjerë: gjenetika, sepse njerëzit janë të ndryshëm; ushqimi; angazhimet që kanë; regjimi ditor; puna; gjumi. Janë shumë faktorë.

Dhe njerëzit nuk duhet të fokusohen te rrjetet sociale, që nxjerrin ato trupat perfekt në ndriçim të bukur, me filtra. Ka edhe ndërhyrje estetike, ka edhe suplemente që nuk përmenden. Kështu që njerëzit duhet të jenë më pranë realitetit.

Për mua, e rëndësishme është të kenë trup të shëndetshëm. Shëndeti në radhë të parë, pastaj pjesa tjetër është dytësore, për mua. Besoj duhet të jetë edhe për të gjithë. Prandaj, në fund fare themi: shëndeti mbi të gjitha.

Kështu që është mirë që njerëzit të jenë të qartë në këtë pikë, që kërkon kohën e vet. Do durim, konsistencë, edhe regjim patjetër: stërvitje e rregullt, ushqim i balancuar e të gjitha.

Nuk ka rrugë të shkurtër. Duhet të jetë një dietë e balancuar ndërmjet karbohidrateve, proteinave, yndyrnave dhe fibrave. Pastaj secili ka objektivat e veta: kush do të humbë peshë, kush do të vërë peshë, masë muskulare, mirëmbajtje… secili ka objektivat e veta.

Është… ok, për mua është e thjeshtë sepse kam kaq vite që e bëj, domethënë, dhe njerëzve u duket pak e komplikuar, por është e thjeshtë në kuptimin që duhet t’i ndash karbohidratet me proteinat, yndyrnat dhe fibrat sipas objektivit që ke. Nuk funksionon njësoj për të gjithë njerëzit. Femrat dhe meshkujt patjetër janë të ndryshëm, si të gjithë njerëzit.

Nuk ka rezultate të shpejta për secilin — kush më shpejt, kush pak më ngadalë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco