Aktorja fituese e çmimit Oscar, Cate Blanchett, është emëruar profesoreshë vizitore nderi në Universitetin e Oksfordit, në kuadër të programit të Teatrit Bashkëkohor “Cameron Mackintosh” në Kolegjin St Catherine.
Blanchett nuk do të ketë një rol akademik të përhershëm dhe as nuk do të japë diploma, por do të angazhohet në një seri leksionesh, bisedash dhe masterclass-esh me studentët dhe komunitetin universitar gjatë vitit akademik.
Ky post nderi, i cili ekziston prej vitit 1990, i dedikohet figurave të njohura të teatrit dhe artit skenik, dhe më herët është mbajtur nga emra të njohur ndërkombëtarë si Ian McKellen, Arthur Miller dhe Diana Rigg.
Në deklaratat e saj, Blanchett ka theksuar se synon të nxisë dialogun krijues me brezin e ri të artistëve dhe studentëve, duke e konsideruar këtë rol një mundësi për shkëmbim ideje dhe frymëzim artistik.
Universiteti i Oksfordit thekson se programi ka për qëllim afrimin e praktikës profesionale të teatrit me jetën akademike, përmes figurave të njohura të skenës ndërkombëtare.
Blanchett, e njohur për role të shumta në kinema dhe teatër, është një nga aktoret më të vlerësuara të brezit të saj, me dy çmime Oscar për interpretimet në The Aviator dhe Blue Jasmine, si dhe role të spikatura në Elizabeth, The Lord of the Rings, Carol dhe TÁR.
© SYRI.net