Nga Kara Kennedy/
Po qarkullon një foto interesante nga vizita shtetërore në SHBA e mbretit Charles III dhe mbretëreshës Camilla, ku Donald Trump mban në dorë një bletë. Thuhet se në fakt ishte një grenzë e ngordhur, që presidenti ia tregoi mbretit për ta parë. “Sa interesante,” thuhet se i tha ai Charles-it, i cili, si edhe mbretëresha, u dukën pak të habitur.
Por Zonja e parë duket e tronditur. E njoh këtë shprehje; e shtirur, e përkushtuar, thellësisht e interesuar, sepse është e njëjta gjë që bëj edhe unë kur burri më shpjegon subjektin e një filmi që po shohim. “Uau, sa interesante, s’do ta kisha ditur kurrë!” Ose kur më pyet me entuziazëm nëse dua të di si funksionon diçka mekanikisht. “Falë Zotit tani i di hollësitë e një aparati fotografik digjital.”
Në fakt, reagimi i saj zbulon diçka të thellë për të: ajo është një luaneshë që mbron familjen e saj.
Më herët këtë javë, Melania bëri një deklaratë të rrallë publike ku kërkoi që Jimmy Kimmel të pushohej nga puna për një shaka që bëri për të dhe bashkëshortin e saj para darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Nëse nuk e dini, darka në fakt nuk u zhvillua, sepse një person i armatosur arriti të kalojë sigurinë dhe hyri në sallën ku ndodhej çifti presidencial.
Në shakanë e tij, Kimmel bëri sikur po drejtonte darkën. Ai iu drejtua zonjës së parë imagjinare dhe tha: “Sigurisht, zonja jonë e parë, Melania, është këtu. Shumë e bukur”, duke shtuar: “Zonja Trump, shkëlqeni si një vejushë në pritje”. Pavarësisht nëse nënkuptimi i tij ishte se burri i saj mund të ishte objektiv i njerëzve të çmendur, apo se ai është mbipeshë dhe jeton kryesisht me McDonald’s dhe karamele, apo thjesht se Don është 79 vjeç, sllovenes me pamje magjepsëse nuk iu duk aspak për të qeshur.

Ajo reagoi në X, ku tashmë përplasen shumica e pakënaqësive politike, duke thënë se “monologu për familjen time nuk është komedi”, se “fjalët e tij janë helmuese dhe e thellojnë sëmundjen politike në Amerikë”, dhe se “është koha që ABC të mbajë qëndrim”, duke pyetur: “Sa herë do ta lejojnë drejtuesit e ABC sjelljen e tmerrshme të Kimmel-it në kurriz të komunitetit tonë?”
Zonja Trump është kritikuar për prirjen e saj për të qëndruar larg vëmendjes dhe jashtë mendjes së publikut që kur u bë zonjë e parë. Por atëherë kur flet, thotë gjëra domethënëse. Gjatë vitit të fundit, ajo ka folur publikisht vetëm për disa gjëra, kryesisht për bashkëshortin dhe djalin e saj.
Pranverën e kaluar ajo hodhi poshtë thashethemet se Donaldi ishte në konflikt me Universitetin Harvard, sepse djali i tyre Barron kishte aplikuar dhe ishte refuzuar. Pas një vale titujsh, një zëdhënës i zonjës së parë i tha The Palm Beach Post se “Barroni nuk ka aplikuar në Harvard dhe çdo pretendim se ai, ose dikush në emër të tij, ka aplikuar, është plotësisht i pavërtetë”.
Ka një dinjitet të thellë në refuzimin e saj për të luajtur lojën moderne të zonjës së parë. Ndërsa bashkëshortet e tjera të politikanëve e trajtojnë pozicionin e tyre si një garë për të fituar miratimin e më të paditurve në klasë, Melania e trajton Shtëpinë e Bardhë si një fortesë. Nuk i intereson nëse e pëlqeni, as nëse mendoni se po bën një punë të keqe.
Siç dihet, ajo ka një xhaketë ku shkruhet: “S'më intereson fare, po ju?”, të cilën e veshi gjatë një vizite në një qendër ndalimi për fëmijë emigrantë dhe për këtë u kritikua shumë. Si nënë, ajo kujdeset që djali i saj të jetë i mbrojtur nga sytë e Amerikës dhe, si bashkëshorte, që krenaria e burrit të saj të mbetet e paprekur.
Në një epokë të tejmbushur me shpërndarje të tepërt të jetës private dhe ndjeshmëri të shfaqur për efekt, mungesa e interesit të saj për të ruajtur fasadën është një gjest sfidues ndaj syve kureshtarë të një publiku që nuk e ka merituar kurrë. Ajo ka kuptuar se mënyra e vetme për të fituar një lojë të manipuluar është të refuzosh të luash sipas rregullave të atyre që të urrejnë. / The Telegraph – Syri.net
© SYRI.net