Disa muaj më parë, gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, Stenaldo ndau me publikun një nga historitë më të dhimbshme të jetës së tij, e cila nis me humbjen tragjike të babait, kur ai ishte vetëm një muajsh.
Në rrëfimin e tij emocional, ai tregoi se babai u vra në vitin 1997 në rrethana të rënda, nga një person të cilit i kishte dhënë një përqafim pak çaste para krimit.
“Kam lindur në Lushnje më 28 maj 1997. Nuk kam jetuar kurrë në atë qytet, përveç muajit të parë të jetës sime, pasi në qershor të atij viti im atë ndërroi jetë. U vra në një mënyrë të poshtër, në një vit të errët për të gjithë shqiptarët. U vra nga dikush që e përqafoi dhe më pas i ktheu shpinën për të vazhduar rrugën e tij,” – rrëfeu Stenaldo.
Ai shtoi se një humbje e tillë e hershme e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, duke e bërë të rritet me mungesën e figurës së babait, pa pasur një moment të vetëm “zbulimi”, por thjesht një realitet të përhershëm.
“Kur rritesh me një humbje të tillë, nuk ka një moment dramatik kur e mëson. Thjesht e di që babai yt nuk është aty, ndryshe nga të tjerët,” – u shpreh ai, duke shtuar se kjo ngjarje i ka formësuar edhe bindjet për jetën dhe njerëzit.
“Unë kam lindur në Lushnje në 28 maj të 1997. Kam lindur në një qytet ku nuk kam jetuar kurrë, hiq muajin e parë të jetës time, derisa im atë në qershor të po atij viti ndërroi jetë, i vrarë në një mënyrë të poshtër në atë vit të poshtër për të gjithë shqiptarët që na ka bërë të humbasim më shumë se çdo herë në historinë tonë të brishtë. U vra nga dikush mbasi atij i dha një përqafim dhe i ktheu kurrizin për të vazhduar rrugën e tij.
Dhe kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë që në këtë botë të gjithë trimat vriten nga frikacakët. Kur njeriu rritet me një humbje të tillë nuk ka me asnjë moment dramatik në jetën e tij, nuk ka një moment kur ti e mëson, ti thjesht e di që ndryshe nga fëmijët e tjerë babai jot nuk është aty”, tha ndër të tjera në rrëfimin e tij Stenaldo.
Ndërkohë, zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me këtë histori familjare. Së fundmi, në Itali janë arrestuar dy xhaxhallarët e Stenaldos, Artur dhe Arben Mëhilli. Ata akuzohen se në vitin 1999 vranë Rezar Metajn, personin që dyshohej se kishte ekzekutuar vëllain e tyre.
Dy vëllezërit ishin dënuar nga Gjykata e Lushnjës në vitin 2001 për “vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve”, me dënime përkatësisht 15 vite e 6 muaj dhe 16 vite e 6 muaj burg.
Pas krimit, ata u larguan drejt Italisë duke përdorur identitete të rreme, me të cilat arritën të siguronin edhe leje qëndrimi, deri në arrestimin e tyre të fundit.
Ngjarja hedh dritë mbi një histori të gjatë hakmarrjeje dhe dhimbjeje familjare, e cila ka ndikuar thellë në jetën e Stenaldos.
© SYRI.net