Një ditë shumë e veçantë për Edon Zhegrovën, që më 12 mars u bë baba për herë të parë. Sulmuesi kosovar i Juventusit përjetoi një emocion që shkon përtej fushës së blertë, dhe lajmi u shpërnda menjëherë në rrjetet sociale. Vetë klubi bardhezi i dërgoi urimet e tij: “Urime Edon Zhegrova për lindjen e fëmijës së parë, Mars!”
Kështu, Zonja e Vjetër iu bashkua festës për lojtarin dhe partneren e tij, Elsa, duke shndërruar këtë moment privat në një përjetim të përbashkët me tifozët. Reagimet dhe mesazhet e ngrohta nuk vonuan të vinin. Nën postimin e Juventusit, ndjekësit shkruanin mesazhe si: “Mirësevjen, Mars i vogël” dhe mesazhe inkurajuese për Edonin: “Të frymëzoftë për të shtunën, kthehu i plotë Edon, kush beson është me ty”.
Fëmija i parë i Zhegrovës, Mars, lindi më 12 mars në Torino, në orën 11:43, me peshë 3.250 kg. Ky moment i lumtur ra në të njëjtën ditë me ditëlindjen e nënës së futbollistit, Sanije Zhegrova, e cila postoi në rrjetet sociale një mesazh plot dashuri: “Mirë se vjen në botë, nipi im i ëmbël. Te kemi dashur pa fund, Mars. Sot zemra ime është më e plotë se kurrë”.
Kështu, dita e 12 marsit mbetet e paharrueshme për familjen e Zhegrovës dhe për komunitetin bardhezi, që ndan me lojtarin gëzimin e këtij momenti unik dhe magjik.
© SYRI.net