Disa këngëtarë bojkotojnë pjesëmarrjen në Eurosong në rast fitoreje, për shkak të pranimit të Izraelit në këtë garë muzikore.
Nga Alba Kepi
Ka nisur mbrëmë (24 shkurt) edicioni i 76-të i Festivalit i Sanremo 2026, ngjarja më e rëndësishme e muzikës italiane që zhvillohet çdo vit në skenën ikonike të Teatrit Ariston.
Kthimi i kantautorit shqiptar Ermal Meta në Festivalin e Sanremos 2026 sjell në skenë një këngë që lind nga një ndjenjë thellësisht personale dhe shndërrohet në një mesazh universal. 'Stella Stellina', e shkruar fillimisht për vajzën e tij Fortuna, gjatë rrugëtimit artistik u kthye në një dedikim simbolik për një vajzë nga Gaza, duke vendosur në qendër brishtësinë dhe shpresën e fëmijërisë në një realitet të shënuar nga lufta.
“Fakti që ky është Festivali im i parë si baba i ndryshon gjërat”, është shprehur artisti në intervista.
“Stella Stellina” në këngë bëhet një udhërrëfim, simbol i shpresës në momentet e frikës dhe konfliktit. Një ninullë prekëse me tinguj orientalë, që njëkohësisht përkëdhel dhe lëndon, duke vazhduar traditën e betejave sociale e civile që Ermal Meta ka sjellë ndër vite me muzikën e tij
“Amal” një simbol në skenë
Gjatë performancës së tij, Meta u shfaq me mbishkrimin “Amal” në jakën e këmishës. Fjala me origjinë arabe do të thotë “shpresë” dhe përfaqëson simbolikisht të gjitha vajzat e Gazës.
“Protagonistja e Stella Stellina është një vajzë pa emër, por ndoshta i ka të gjithë emrat. Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind… ç’rëndësi ka, ndoshta asnjë, ndoshta gjithçka. Vajza të askujt, vajza të të gjithëve”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Çdo mbrëmje në Festival, artisti do të mbajë në veshje emrin e një vajze ose djali nga Gaza, duke e kthyer skenën në një hapësirë kujtese dhe ndërgjegjësimi.ri
Në mbrëmjen e cover-ave, më datë 27 shkurt , Ermal Meta do të performojë së bashku me Dardust këngën Golden Hour.
E po më 27 shkurt do të dal në treg dhe albumi i ri i tij “Funzioni Vitali”, një projekt i lindur nga një reflektim i thellë personal: “Në disa momente jam gjendur përballë versioneve të tjera të vetes, disa të njohura, disa jo. Jam humbur disa herë dhe jam rigjetur jo gjithmonë i plotë. Në fund, megjithatë, ishte vetëm një ëndërr e gjatë.”
Ermal Meta ka lindur në Fier, Shqipëri, më 20 prill 1981 dhe u transferua në Bari në moshën 13-vjeçare, ku nisi rrugëtimin e tij artistik. Pas përvojave të para muzikore, në vitin 2007 themeloi grupin La Fame di Camilla, me të cilin mori pjesë në Sanremo Giovani.
Paralelisht, ai u afirmua si autor për disa nga artistët më të rëndësishëm të muzikës italiane, ndër të cilët Marco Mengoni, Emma Marrone, Francesco Renga, Annalisa, Chiara Galiazzo dhe Elisa.
Debutimi i tij erdhi në vitin 2014 me këngën Lettera a mio padre, ndërsa suksesi i madh mbërriti në vitin 2017 në Sanremo me Vietato morire, që i solli vendin e tretë dhe Çmimin e Kritikës “Mia Martini”.
Në vitin 2018 ai fitoi Sanremon në duet me Fabrizio Moro me këngën Non mi avete fatto niente, një himn për paqen dhe rezistencën ndaj terrorizmit. Dyshja përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest, duke u renditur në vendin e pestë.
Sanremo 2026 do të shohë 30 artistë “Big” në skenën e Aristonit, të zgjedhur midis emrave të njohur të muzikës italiane dhe disa rikthimeve nga festivalet e mëparshme. Përveç tyre, do të marrin pjesë edhe 4 artistë të rinj, të përzgjedhur përmes Sanremo Giovani dhe Area Sanremo.
Festivali tashmë është në qendër të polemikave të para, jo për këngët në garë, por për lidhjen e tij me Eurovision Song Contest 2026. Tradicionalisht, fituesi i Sanremos përfaqëson Italinë në Eurovision, por këtë vit pjesëmarrja ndërkombëtare ka ndezur debat.
Disa konkurrentë, përfshirë Levante, kanë njoftuar se në rast fitoreje nuk do të marrin pjesë në Eurovision, si formë proteste kundër pjesëmarrjes së Izraelit në këtë konkurs. Ky vendim lidhet me motivime politike dhe humanitare, të lidhura me situatën izraelito-palestineze, dhe ka shkaktuar reagime të ndryshme.
Rai ka bërë të qartë se nuk do të ketë ndryshime në pjesëmarrjen në konkurs dhe se Italia do të vazhdojë të respektojë rregullat e European Broadcasting Union (EBU). Qëllimi është të bëhet dallimi midis muzikës dhe politikës, por tema mbetet shumë e ndjeshme dhe vazhdon të nxjerrë debate publike.
Polemika nuk kufizohet vetëm tek artistët: disa analistë dhe figura politike italiane kanë akuzuar festivalin se po bëhet politik, ndërsa të tjerë mbrojnë të drejtën e Sanremos për të shprehur qëndrime kritike përmes kulturës.
30 Këngëtarët pjesëmarrrës në këtë Festival janë Tommaso Paradiso, Chiello, Serena Brancale, Fulminacci, Ditonellapiaga, Fedez & Marco Masini, Leo Gassmann, Sayf, Arisa, Tredici Pietro, Sal Da Vinci, Samurai Jay, Malika Ayane, Luchè, Raf, Bambole di Pezza, Ermal Meta, Nayt, Elettra Lamborghini, Michele Bravi, J‑Ax, Enrico Nigiotti, Maria Antonietta & Colombre, Francesco Renga, Mara Sattei, LDA & Aka 7even, Dargen D’Amico, Levante, Eddie Brock, Patty Pravo.
E sonte në mbrëmje Sanremo 2026 do të hap dyert e natës së dytë të Festivalit më të made të muzikës italiane.
© SYRI.net