Këngëtari spanjoll, Julio Iglesias, ka ngritur padi ndaj zëvendëskryeministres së dytë të Qeverisë së Spanjës dhe ministre e Punës dhe Ekonomisë Sociale, Yolanda Díaz, pasi ajo e akuzoi publikisht se kishte ushtruar “abuzime seksuale” ndaj punonjëseve të tij dhe se i mbante ato në një “situatë skllavërie”. Nëse këto deklarata nuk tërhiqen, ai ka paralajmëruar se do të paraqesë edhe kallëzim penal ndaj saj.
Sipas dokumentit ligjor, avokati i tij, José Antonio Choclán, i kërkon Díaz-it të “korrigjojë publikisht” mesazhin e publikuar në llogarinë e saj në rrjetin social Bluesky. Gjithashtu kërkohet që ajo ta dëmshpërblejë Iglesias-in “me një shumë që do të përcaktohet në bazë të dëmit të rëndë shoqëror të shkaktuar” nga deklaratat e konsideruara shpifëse dhe fyese.
Më 13 janar, Díaz kishte shpërndarë një lajm me titullin: “Ish-punonjëset e vilave të Julio Iglesias e akuzojnë këngëtarin për agresione seksuale”, duke shtuar: “Dëshmi rrëqethëse (…) Abuzime seksuale dhe një situatë skllavërie me një strukturë pushteti të bazuar në agresion të vazhdueshëm”.
Një ditë më pas, ajo foli edhe në një emision televiziv për denoncimin e paraqitur nga disa ish-punonjëse, i cili nuk u pranua për shqyrtim, pasi Prokuroria konstatoi mungesë kompetence juridike. Në janar, Ministria Publike vendosi mbylljen e çështjes, duke theksuar “mungesën e juridiksionit të gjykatave spanjolle dhe, për rrjedhojë, mungesën e kompetencës së Prokurorisë së Audiencës Kombëtare për hetimin paraprak të fakteve të denoncuara”.
Në padinë e paraqitur theksohet se Díaz, si zyrtare e lartë publike, ka shprehur “paragjykime të qarta faji” ndaj Iglesias-it, duke deklaruar se në shtëpinë e tij kryheshin abuzime seksuale, punonjëset mbaheshin në regjim skllavërie dhe shkeleshin sistematikisht të drejtat themelore.
Iglesias kërkon që ajo të pranojë “karakterin e rëndë fyes dhe shpifës” të deklaratave, duke argumentuar se është zhvilluar një “gjyq paralel i papërshtatshëm nga një autoritet publik jashtëgjyqësor”, i cili ka dëmtuar nderin, imazhin dhe reputacionin e tij shoqëror.
© SYRI.net