Aktori i njohur Robert Duvall, i famshëm për rolin e tij si Tom Hagen në filmin ikonë “Kumbari”, ka ndërruar jetë të dielën (15 shkurt) në mbrëmje në moshën 95-vjeçare, njoftoi bashkëshortja e tij, Luciana Duvall, në rrjetet sociale.
Duvall pati një karrierë gjashtëdekadëshe në kinematografi, duke lënë gjurmë të thella jo vetëm me “Apocalypse Now”, por edhe me një sërë roleve të tjera të paharrueshme. Ai fitoi Globin e Artë për Aktorin më të Mirë në vitin 1984 për rolin kryesor në filmin “Tender Mercies”, dhe u nderua gjithsej shtatë herë nga Akademia e Hollywood-it.
Me largimin e tij, humbja për kinemanë është e madhe, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe role që do të kujtohen për breza.
I lindur në San Diego, Kaliforni, me një baba oficer marinash, Duvall shërbeu në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Koresë dhe më pas studioi për dramën në New York nën udhëheqjen e të famshmit Sanford Meisner. Gjatë kësaj periudhe, ai ndau apartamentin me Dustin Hoffman dhe ishte mik i Gene Hackman.
Karriera e tij u shtri për më shumë se gjashtë dekada, duke përfshirë role të paharrueshme si Major Frank Burns në “MAS*H”, protagonisti i filmit të parë të George Lucas, “THX 1138”, apo interpretimi i tij në “Tender Mercies”, që i solli një Oscar për Aktorin më të Mirë. Ai gjithashtu u shqua në filma si “The Great Santini”, “Open Range”, “Broken Trail” dhe në miniserinë “Lonesome Dove”, duke lënë një gjurmë të fortë në kinemanë amerikane.
Duvall ishte gjithashtu regjisori dhe skenaristi i filmit “The Apostle” (1997), ku u nominua për Oscar përsëri. Ai mbeti aktiv edhe në vitet 2010, me nominime të tjera për Oscar për filmin “The Judge” (2014) dhe shfaqje në filma si “Jack Reacher” dhe “Widows”.
Ai ishte martuar katër herë, duke përfshirë martesën e fundit me aktoren dhe regjisoren argjentinase Luciana Pedraza në 2004. Përfaqësuesit e tij njoftuan se nuk do të mbahet një ceremoni zyrtare, dhe familja sugjeron që përkujtimi i tij të bëhet duke shikuar një film të mirë, duke treguar një histori me miqtë, ose duke shijuar bukuritë e natyrës.
© SYRI.net