Një tragjedi ndodhi të shtunën mbrëma, më 2 gusht, në stadiumin Wembley, ku Lee Claydon, 45 vjeç, humbi jetën pasi ra nga njëra prej tribunave të sipërme gjatë koncertit të grupit britanik Oasis. Claydon, një kopshtar peizazhesh nga Bournemouth, ndodhej në koncertin e katërt nga pesë të planifikuara në Londër si pjesë e turneut të ribashkimit Oasis Live ’25.
Policia Metropolitane konfirmoi se oficerët dhe personeli mjekësor iu përgjigjën incidentit në orën 22:19, pak para përfundimit të shfaqjes. Viktima u shpall i vdekur në vendngjarje, ndërsa hetimet për rrethanat e ngjarjes janë ende në vazhdim.
Menjëherë pas lajmit tronditës, vëllai i viktimës, Aaron Claydon, hapi një faqe GoFundMe për të mbështetur partneren e Lee-t, Amanda, dhe djalin e tyre, Harry. Deri në momentin e raportimit, janë mbledhur mbi 15,000 £ (rreth 17,000 €). “Familja jonë është përmbysur dhe po përpiqet të përballojë këtë shkatërrim dhe humbje të papritur,” shkroi ai në përshkrimin e faqes.
“Lee ishte një burrë i dashur familjar, një model për djalin e tij dhe një mik i përkushtuar. Ai u largua shumë shpejt nga ne dhe do të na mungojë pafund,” shtoi Aaron.
Grupi Oasis reagoi me një deklaratë zyrtare të dielën: “Jemi të tronditur dhe të trishtuar nga lajmi për vdekjen tragjike të një fansi në shfaqje. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen dhe miqtë e tij.”
Disa nga të pranishmit në koncert kanë ngritur shqetësime lidhur me sigurinë në tribuna, duke e përshkruar situatën si “të pasigurt”, ndërsa kanë përmendur konsumin e lartë të alkoolit dhe rrëshqitjen e dyshemeve për shkak të birrës së derdhur si faktorë potencialisht rrezikshëm.
Policia i ka bërë thirrje publikut që të dorëzojë çdo material filmik që mund të ndihmojë në zbardhjen e incidentit.
Pas Londrës, Oasis pritet të mbajë koncerte në Edinburg dhe Dublin, përpara se të udhëtojë në Amerikën e Veriut dhe të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar për dy shfaqjet përmbyllëse në Wembley në shtator. Bëhet e ditur se po diskutohen mundësitë për të sjellë turneun edhe në Itali.
© SYRI.net