Reperi i njohur Drake ka zhgënjyer fansat e tij në Manchester pas anulimit të papritur të koncertit të planifikuar për datën 28 korrik në sallën Co-Op Live.
Ky do të ishte koncerti i tretë në qytet, si pjesë e turneut të tij “Some Special Shows 4 U”. Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar nga organizatorët, arsyeja e shtyrjes lidhet me orare të paparashikuara të tragetit dhe probleme logjistike.
Koncerti është riplanifikuar për më 5 gusht dhe të gjitha biletat aktuale do të mbeten të vlefshme për datën e re. Ata që nuk mund të marrin pjesë, mund të kërkojnë rimbursim përmes Ticketmaster. Megjithatë, fansat shprehën zhgënjimin e tyre në rrjetet sociale, duke e cilësuar anulimin si mungesë respekti veçanërisht pasi qarkullojnë zëra se reperi kanadez ndodhej tashmë në qytet.
Turneu i Drake vijon më pas në Amsterdam, pas përfundimit të koncerteve në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, artisti përballet edhe me tensione jashtë skene, përfshirë konfliktin me Kendrick Lamar dhe një proces gjyqësor ndaj UMG për shpifje.
© SYRI.net