Një natë muzikore e veçantë në ‘Hard Rock Stadium’ të Miamit u kthye në një moment të paharrueshëm, jo vetëm për fansat e Coldplay, por edhe për të gjithë adhuruesit e Lionel Messit. Superylli argjentinas dhe bashkëshortja e tij, Antonella Roccuzzo, morën pjesë në koncertin e grupit britanik dhe, për pak minuta, u bënë ata vetë protagonistët e mbrëmjes.
Në një atmosferë elektrizuese, kamera e stadiumit fokusoi çiftin, dhe menjëherë publiku shpërtheu në një ovacion të zjarrtë. Me buzëqeshje të ndritura dhe përshëndetje drejt turmës, Messi dhe Antonella u përshëndetën me dashuri dhe entuziazëm nga mijëra spektatorë.
Momenti kulmor erdhi kur Chris Martin, vokalisti i Coldplay, ndaloi koncertin për të përshëndetur çiftin:
“Mikpritni sportistin më të madh të të gjitha kohërave,” – u shpreh ai, duke i drejtuar fjalët me një ton melodik Lionel Messit.
“Leo, vëllai im, ju dhe gruaja juaj dukeni fantastikë. Faleminderit që erdhët sonte për të na parë.”
Ky gest simpatik dhe plot mirënjohje u kthye shpejt në moment viral në rrjetet sociale, ndërsa publiku brohoriste me të madhe emrin “Messi, Messi”.
Ironikisht, vetëm pak ditë më parë, në një koncert tjetër, kamera e stadiumit kishte zbuluar një skandal tradhtie mes dy punonjësve të një kompanie teknologjie. Por këtë herë, kamera nuk solli drama, solli festë, emocion dhe dashuri.
Ndërsa muzika e Coldplay vazhdonte, ishte e qartë se, për të pranishmit, prania e Messit dhe Antonellës ishte një nga momentet më speciale të mbrëmjes, një kujtim që do të mbetet gjatë në mendjen e publikut dhe ndoshta edhe në historinë e koncertit.
© SYRI.net