Këngëtari i njohur i Koresë së Jugut, Moon Tae-il, i njohur me emrin artistik Taeil dhe ish-anëtar i grupit K-pop NCT, është dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burg për një përdhunim të kryer në grup ndaj një turisteje kineze.
Vendimi u shpall nga një gjykatë distrikti në Seul, e cila e cilësoi krimin si “jashtëzakonisht të rëndë”, por mori parasysh faktin se autorët nuk kishin precedentë penalë më parë.
Së bashku me Taeil, u dënuan edhe dy bashkëpunëtorë të tij të identifikuar vetëm si Lee dhe Hong, të cilët gjithashtu pranuan se kishin marrë pjesë në sulmin seksual. Gjykata urdhëroi gjithashtu që të tre të ndjekin një program 40-orësh rehabilitimi për autorët e dhunës seksuale.
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi pasi tre burrat u takuan me viktimën në një bar në lagjen e njohur të natës, Itaewon, në Seul. Pasi ajo u deh rëndë nga pijet që konsumoi në shoqërinë e tyre, të tre e çuan me taksi në shtëpinë e njërit prej tyre, ku ndodhi përdhunimi. Rasti u kualifikua si “përdhunim i rënduar” për shkak të karakterit në grup dhe faktit që viktima ishte pa ndjenja.
Taeil u largua nga grupi NCT në gusht të vitit të kaluar, kur dolën për herë të parë akuzat, megjithëse detajet e sakta të krimit nuk ishin bërë ende publike. Grupi NCT, i lansuar në vitin 2016 nga kompania SM Entertainment, ka qenë një nga emrat më të suksesshëm në skenën ndërkombëtare të K-pop-it, duke u ngjitur disa herë në krye të listave të Billboard.
© SYRI.net