Lorde ka folur hapur për një periudhë të vështirë emocionale, e cila për pak sa nuk i dha fund karrierës së saj muzikore.
Në një intervistë të sinqertë për BBC Radio 1 me Jack Saunders, këngëtarja 28-vjeçare nga Zelanda e Re tregoi se në fillim të vitit 2023 ndodhej në një gjendje të rënduar mendore dhe kishte humbur krejtësisht lidhjen me krijimtarinë.
“Ndihesha e boshatisur dhe pa asnjë ide. Çdo gjë që më mbushte mendjen kishte të bënte me peshën, ushqimin dhe stërvitjen. Isha e fiksuar pas idesë për të peshuar sa më pak, dhe kjo më kishte bllokuar plotësisht,” u shpreh ajo, sipas Daily Mail.
Lorde pranoi se për një periudhë të gjatë nuk mendonte më për muzikën, duke e konsideruar atë si një pjesë të së shkuarës. Megjithatë, gjithçka filloi të ndryshonte kur vendosi të largohej nga kjo mënyrë e dëmshme jetese. “Sapo lashë pas këtë mënyrë të jetuari, muzika nisi të kthehej natyrshëm tek unë,” tha ajo, duke reflektuar mbi një proces rikuperimi që e riktheu sërish në skenë.
Rikthimi i saj u konfirmua fuqishëm me një performancë surprizë në festivalin Glastonbury, ku fansat u befasuan nga prania e saj në një set të fshehtë.
Ndërkohë, ajo ka shpallur albumin e saj të katërt me titull “Virgin”, i cili doli më 27 qershor. Kopertina e albumit – një imazh rreze-X i legenit të një gruaje me një pajisje intrauterine – ka ngjallur diskutime të shumta në rrjetet sociale.
Në planin personal, Lorde duket të jetë në një lidhje të re me producentin dhe DJ-në Jim-E Stack, me të cilin u shfaq publikisht në Glastonbury dhe më pas në Londër. Romanca e tyre ka tërhequr vëmendjen, veçanërisht pas komenteve të ish-partneres së Stack, këngëtares Kacy Hill, e cila i akuzoi se lidhja e tyre nisi gjatë bashkëpunimit profesional.
Pas një periudhe sfiduese, Lorde po rifillon një kapitull të ri: më e çliruar, më krijuese dhe e gatshme të ndajë sërish muzikën e saj me botën.
© SYRI.net