Një numër në rritje i grave të reja po shprehin shqetësimin për normalizimin e të ashtuquajturit “seks i ashpër”, në veçanti për aktin e mbytjes gjatë marrëdhënieve seksuale, i cili shpesh ndodh pa diskutim paraprak apo pëlqim të qartë.
“Midis shoqeve të mia ekziston një lloj konkurrence për të mos qenë e mërzitshme, për të mos qenë ‘vanilje’. Askush nuk dëshiron të duket sikur nuk është e hapur ndaj eksperiencave seksuale. Mendoj se kjo është shumë e përhapur tek gratë e moshës sime,” thotë Lucy (jo emri i saj i vërtetë), për The Guardian. “Kam parë shumë pornografi të dhunshme që kur isha adoleshente. Gratë atje nuk kundërshtojnë kurrë, edhe kur po mbyten. Mendoj se u bëra shumë performuese. Dua të besoj se jam një grua e fortë, por nuk e di nëse ka të bëjë me dëshirën për vlerësim nga burrat.”
Diskutimi publik mbi këtë temë është intensifikuar pas njoftimit se pornografia që paraqet akte të tilla do të kriminalizohet në një amendament të Projektligjit për Krimin dhe Policimin në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një rast tjetër, në një prezantim të sponsorizuar nga një këshill vendor për nxënësit e shkollave të mesme në Uells, ishin përfshirë këshilla për “mbytje të sigurt” si: “Nuk është kurrë në rregull të fillosh të mbytësh dikë pa e pyetur më parë,” dhe “Pëlqimi duhet të merret çdo herë që mbytja seksuale është në diskutim, jo vetëm herën e parë.” Publikimi i këtij prezantimi ngjalli reagime të forta, përfshirë Fiona Mackenzie-n, themeluese e grupit “We Can’t Consent to This”, e cila u shpreh “absolutisht e tërbuar, por aspak e befasuar.”
Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se qafa është një pjesë jashtëzakonisht e brishtë e trupit, dhe mjafton më pak presion sesa për të hapur një kanaçe për të bllokuar venat kryesore.
Një studim i vitit 2021, i drejtuar nga Debby Herbenick në Universitetin e Indianës, intervistoi 24 gra të moshës 18 deri në 33 vjeç lidhur me përvojat e tyre me mbytjen gjatë seksit. Shumica e tyre e përjetuan për herë të parë pa asnjë komunikim paraprak përfshirë edhe një që po kryente marrëdhënie seksuale për herë të parë – por tashmë e konsideronin atë si pjesë të zakonshme të jetës seksuale.
Shumë prej tyre raportuan efekte fizike shqetësuese si kollë, gulçim, vështirësi në frymëmarrje, ndryshime në shikim dhe ndjesi mbytjeje. Disa pranuan se e lejuan vetëm për kënaqësinë e partnerit, ndonëse vetë nuk ndjenin ndonjë ngacmim seksual nga ky akt. Ndërsa të tjera e konsideronin si aventurë ose eksperiencë të fuqishme.
Historikisht, asfiksia autoerotike ka qenë e rrallë tek gratë. Por sot, duket se një praktikë që më parë përshkruhej si e lidhur kryesisht me burrat, po praktikohet gjithnjë e më shpesh në marrëdhënie heteroseksuale, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë, presionin shoqëror dhe mungesën e pëlqimit të vërtetë. theguardian.com
© SYRI.net