Rrëfehet Blero: Ndarja nga Afrona erdhi për shkak të parave

Rrëfehet Blero: Ndarja nga Afrona erdhi për shkak të parave

12:34, 24/04/2023
A+ Aa A-

Në një intervistë për “Prive”, Blero ka treguar versionin e tij të ndarjes nga ish-bashkëshortja, Afrona Dika.

Së pari, ai tha se ka preferuar që të mos flasë më parë dhe t’i zgjidhë gjërat në mënyrë private me Afronën, por mesa duket, nuk ia kanë dalë.

Më pas, shtoi:

“Në fillim, lidhjen e kam ndjerë si njëfarë aktrimi. Gjithmonë ka qenë në qendër paraja. Sa ka pasur (para) gjithçka ka qenë e bukur, ndërsa kur kam kufizuar shpenzimet, jam parë si i keq. Nuk është se nuk jam mjaftueshëm inteligjent për t’i kuptuar këto gjëra, por kam heshtur dhe vetëm kam parë se deri ku po shkon dhe siç ka filluar, ka mbaruar”, tha këngëtari.

Ai foli edhe për një biznes të përbashkët me Afronën, për të cilin ka dhënë të ardhura që të hapet.

“Kam dhënë para për t’u hapur biznesi ynë dhe sapo ia ka arritur qëllimit, ajo është zhdukur. Nuk ka reaguar në asnjë tentativë timen dhe s’më ka mbetur asnjë opsion tjetër, përveç të eci me hapa ligjorë”, tha Blero, duke pretenduar edhe se mund të ketë një padi kundrejt Afronës.

Blero theksoi se gjatë raportit të tyre, ai ka qenë gjithnjë i mirë dhe asnjëherë dorështrënguar, por edhe pse ka mbyllur një sy, nuk domethënë që s’i ka vënë re ato që kanë ndodhur.
 
Këngëtari thotë se versioni Afronës ka të pavërteta dhe shtoi se nuk ka qenë ndarja aq e thjeshtë sa e thotë Afrona, jo për shkak të tij, por prej ish-partneres.

Dyshja ka qenë bashkë për një periudhë 7-vjeçare dhe më pas, pas shumë aludimesh (ku Afrona dhe Blero i bënë unfollow njëri-tjetrit dhe fshinë fotot e përbashkëta), Blero e konfirmoi ndarjen përmes një "letre" në Instastory, ku shkroi:

“Po e ndiej si detyrë morale dhe si borxh ndaj jush që t’ju drejtohem me anë të kësaj “letre”, apo këtij postimi, sepse po ndihem sikur ka disa muaj që ju kam ngelur borxh me një shpjegim/arsyetim.

Unë e kuptoj që me përgjegjësinë e të qenit pjesë e jetës publike, ka edhe pasoja, më kryesorja, ajo e mospasurit jetë private – jetë private kam, por për fatin tim të mirë, por jo dhe aq të mirë – e gjitha ka qenë super transparente, gjatë gjitë kohës që unë kam qenë pjesë e jetës publike.

Unë e kam të qartë se kur kam kërkuar mbështetjen tuaj për projektet e mia artistike-muzikore, në një formë krijohet përshtypja se edhe jeta ime private mund të bëhet pjesë e debatit. A pajtohem me këtë? Natyrisht që jo.

Aq më tepër që këto publikime (shpesh të paverifikuara paraprakisht), nuk më ndikojnë vetëm mua, por edhe familjen, miqtë dhe rrethin tim. A është normale që diçka e tillë të ndodhë? Absolutisht, po”, tha Blero, duke rrëfyer kështu edhe avantazhet dhe “të këqijat” që sjell fama.

“Të kthehem edhe një herë te fillimi i letrës, meqë do të jetë adresimi im i fundit lidhur me këtë temë. Unë dhe Afrona Dika i kemi dhënë fund martesës sonë 2-vjeçare në maj të këtij viti. Arsyet janë tërësisht personale dhe na përkasin vetëm neve. Nuk ka pasur në asnjë moment hapësirë për interpretim, keqinterpretim, apo përdorim të imagjinatës”, u shpreh këngëtari.

“Pra, miq e dashamirës,

Lidhja jonë ka përfunduar, ndaj situata është e rënduar ashtu siç është, edhe pa e kthyer në pjesë të debatit publik.

Unë po ju drejtohem me një kërkesë, për herë të parë dhe të fundit, me shpresë se do të ketë mirëkuptimin tuaj – ta lëmë ashtu siç është këtë pjesë të jetës sime dhe të mos merremi më gjatë me të. Ky është vendim i cili na përket vetëm mua dhe Afronës, ndaj dëshiroj që ta mbajmë të tillë.

Do ta vlerësoja shumë nëse do të më mirëkuptoni, meqënëse kjo vërtet do të jetë hera e fundit që unë do t’ju adresohem për këtë çështje.

Faleminderit nga zemra për kohën.

I juaji,

Blero”, përfundoi ai.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco