Rritja e pagave në Shqipëri po zhvlerësohet nga shtrenjtimi i fortë i jetesës dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve. Sipas INSTAT, edhe pse paga mesatare është rritur në vlerë nominale, fuqia reale blerëse e qytetarëve ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2020. Ekspertët paralajmërojnë se propaganda e qeverisë për rritjen e pagave nuk reflekton realitetin ekonomik që përjetojnë familjet shqiptare çdo ditë.
Nga Syri TV
Rrogat rriten në letër, por në realitet shqiptarët po blejnë çdo ditë e më pak. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se rritja e pagave po zhvlerësohet nga rritja galopante e çmimeve, duke e bërë propagandën e qeverisë për “pagat e larta” gjithnjë e më larg realitetit të qytetarëve.
Edhe pse paga mesatare nominale ka arritur në rreth 86 mijë lekë gjatë fundit të vitit 2025, fuqia reale blerëse e saj mbetet shumë më e ulët. Sipas INSTAT, paga reale është vetëm 72 mijë lekë, ose rreth 17 për qind më pak se nominalja. Në fillim të vitit 2023 kjo diferencë ishte më e ulët, me vetëm 12 %.
Duke qenë se baza e krahasimit është viti 2020 çdo tremujor reflekton inflacionin e akumuluar duke e rritur me tej hendekun ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale. Kjo do të thotë se një shqiptar sot, me një pagë më të lartë në dukje, blen pothuajse të njëjtat produkte që blinte pesë vite më parë me shumë më pak para.
Ndërsa qeveria promovon rritjen e pagave si sukses ekonomik, qytetarët përballen çdo ditë me çmime më të larta për ushqimet, qiratë, energjinë dhe shërbimet bazë.
Në vend që standardi i jetesës të përmirësohet, fuqia blerëse po tkurret me ritme të shpejta. Ekspertët theksojnë se rritja e pagave nuk ka ardhur nga zhvillimi real ekonomik apo produktiviteti, por kryesisht nga vendime administrative dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Kjo ka sjellë një tjetër efekt zinxhir: rritjen e mëtejshme të çmimeve në treg. Në fund, shqiptarët marrin më shumë lekë në bankë, por largohen nga supermarketet me më pak produkte. Dhe kjo është diferenca mes propagandës së shifrave dhe realitetit të jetesës.
© SYRI.net