Çmimet e fruta-perimeve në tregun e Korçës kanë pësuar një rritje të ndjeshme brenda një kohe shumë të shkurtër. Qytetarët shprehen se ndryshimet ndihen pothuajse çdo ditë, duke vënë në vështirësi gjithnjë e më shumë ekonominë familjare.
Sipas vëzhgimeve që Syri TV ka bërë në treg, në vetëm pak ditë janë shtrenjtuar dukshëm disa nga produktet më të përdorura të zarzavateve.
Specat aktualisht shiten deri në 3.5 mijë lekë për kilogram, nga rreth 2.5 mijë lekë që ishin më parë.
Një rritje e fortë është regjistruar edhe për domatet, të cilat kanë arritur në të njëjtin nivel çmimi.
Ndërkohë, kastravecat janë rritur nga 1 mijë lekë në rreth 1.3 mijë lekë për kilogram.
Për shumë qytetarë, veçanërisht për ata me të ardhura të ulëta, kjo situatë është bërë e papërballueshme.
Pensionistët tregojnë se të ardhurat që marrin nuk mjaftojnë më as për të siguruar produktet bazë të tryezës.
Sipas tyre, një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë rritje është çmimi i lartë i karburanteve.
Ky faktor ndikon drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe për pasojë në çmimin përfundimtar të produkteve, si vendase ashtu edhe të importuara.
Në këto kushte, qytetarët po detyrohen të kufizojnë blerjet, duke hequr dorë nga produkte që deri dje ishin pjesë e përditshme e konsumit. Ata kërkojnë ndërhyrje për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve.
© SYRI.net