SYRI TV/ Paga reale mesatare sot vlen më pak se në 2020, rroga më e lartë, por qytetarët më të varfër

13:15, 05/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pavarësisht rritjes së pagave në shifra, fuqia reale blerëse e qytetarëve është sot më e ulët se në vitin 2020 për shkak të inflacionit të lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave ka thelluar hendekun mes pagës nominale dhe asaj reale. Si pasojë, të ardhurat nuk po arrijnë të mbulojnë kostot gjithnjë e më të larta të jetesës.

Syri TV

Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave po zbeh vlerën reale të të ardhurave, sidomos nga pagat. Çdo qytetar vëren lehtësisht se edhe pse merr më shumë para krahasuar me disa vite më parë, në fund të muajit ato dalin gjithmonë e më pak dhe nuk mjaftojnë. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë paga reale mesatare mujore bruto ishte 69,630 lekë, rreth 16.4% më e ulët se paga mesatare nominale prej 83,300 lekësh për të njëjtën periudhë. Diferenca vjen si pasojë direkte e inflacionit, i cili vetëm për periudhën qershor–shtator 2025 e ka ulur pagën reale me rreth 140 euro krahasuar me vlerën nominale.

Indeksimi i pagës reale me inflacionin tregon qartë se me rreth 83 mijë lekë sot, një shqiptar blen po aq mallra sa blinte me rreth 70 mijë lekë në vitin 2020. Pra, pavarësisht rritjes së pagës në shifra, fuqia blerëse është më e dobët se pesë vite më parë. Ndërsa paga nominale mesatare mujore bruto është rritur ndjeshëm nga viti 2014 deri në 2025, kjo rritje nuk është shoqëruar me përmirësim të mirëqenies reale të qytetarëve shqiptar. Para pandemisë, diferenca mes pagës nominale dhe asaj reale ishte relativisht e balancuar, por pas vitit 2020 hendeku është zgjeruar ndjeshëm për shkak të rritjes së çmimeve.

Raporti i pagës reale ndaj asaj nominale ka rënë nga rreth 94% në fillim të vitit 2022 në rreth 83% në vitet 2024–2025, duke treguar se një pjesë gjithnjë e më e madhe e rritjes së pagave po “hahet” nga inflacioni. Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Në thelb, sot të punësuarit kanë më shumë para në xhep, por jetojnë më shtrenjtë se në vitin 2020, çka e bën pagën reale më të ulët në vlerë dhe ndikim në jetën e përditshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco