Lajmi i fundit

VIDEO/ Dita e 19-të e protestës qytetare, kërkohet largimi i Edi Ramës nga pushteti

SYRI TV/ Blerja e një apartamenti, mision i paarritshëm, paraja e pistë po fryn çmimet e apartamenteve

14:26, 04/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Çmimet e apartamenteve në Tiranë po rriten me ritme të pazakonta, duke e bërë blerjen e një shtëpie të paarritshme për shumicën e qytetarëve. Ekspertët theksojnë se përtej turizmit dhe kostove të ndërtimit, tregu po deformohet nga injektimi i parasë së pistë në sektorin e pasurive të paluajtshme, që krijon kërkesë artificiale dhe fryn çmimet. Si pasojë, shtresa e mesme po përjashtohet nga tregu i banesave, ndërsa edhe qiratë po rëndojnë gjithnjë e më shumë buxhetin familjar.

Çmimet e apartamenteve në Tiranë po rriten me ritme të pazakonta, duke e kthyer strehimin në një luks për shumicën e qytetarëve. Sipas të dhënave të tregut dhe indekseve zyrtare, vetëm brenda vitit 2025 çmimet e banesave janë rritur nga 10 deri në 33 për qind në zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa të ardhurat e qytetarëve nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm.

Ekspertët e ekonomisë dhe urbanistikës theksojnë se kjo rritje nuk lidhet vetëm me turizmin apo shtrenjtimin e kostove të ndërtimit. Një nga faktorët kryesorë që po shtrembëron tregun e pasurive të paluajtshme është injektimi i parasë informale në sektorin e ndërtimit, e përdorur kryesisht si formë investimi dhe pastrimi. Këto flukse krijojnë një kërkesë artificiale për apartamente, rrisin çmimet dhe nxjerrin jashtë loje blerësit që varen nga paga apo kreditë bankare. Të dhënat tregojnë se sot, për të blerë një apartament 70 metra katrorë në Tiranë, një qytetari shqiptar i nevojiten rreth 19 paga vjetore bruto. Me një pagë mesatare mujore prej rreth 770 eurosh, blerja e një shtëpie mbetet e paarritshme për shtresën e mesme dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Situata është po aq problematike edhe në tregun e qirave. Në zonat pranë qendrës, qiratë mujore për apartamentet 1+1 variojnë nga 600 deri në 900 euro, duke tejkaluar kufijtë e përballueshmërisë sipas standardeve ndërkombëtare. Në shumë raste, familjet shpenzojnë mbi 40 për qind të të ardhurave mujore vetëm për strehim, çka sinjalizon stres të lartë financiar. Sipas ekspertëve, mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit mbi qarkullimin e parasë informale, së bashku me orientimin e tregut drejt investimeve spekulative dhe qirave afatshkurtra, po thellon krizën e strehimit. Pa ndërhyrje rregullatore dhe transparencë më të madhe financiare, tregu i banesave rrezikon të mbetet gjithnjë e më i mbyllur për qytetarët e zakonshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco