38% e punonjësve të tregtisë dhe 30% në aktivitetet e pasurive të paluajtshme nuk morën pagë më 2022

38% e punonjësve të tregtisë dhe 30% në aktivitetet e pasurive të paluajtshme nuk morën pagë më 2022

18:49, 25/03/2024
A+ Aa A-

Në sektorin e biznesit, ende një numër i madh punonjësish raportohen si të punësuar pa pagë, duke rrezikuar që në të ardhmen të mbeten pa pension dhe të jenë një ngarkesë për pjesën tjetër të shoqërisë që paguajnë sigurime.

Të dhënat finale mbi ndërmarrjet në vitin 2022 tregojnë se në sektorin e biznesit, mbi 90 mijë persona raportoheshin të punësuar pa pagesë. Ata përbënin mbi 16.5% të totalit të të punësuarve prej 519 mijë personash, raportoi INSTAT.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se përqindjen më të lartë të punonjësve pa pagesë e ka sektori i tregtisë dhe riparimit të automjeteve.

Tregtia me pakicë është punëdhënësi më i madh në sektorin e biznesit me 73 mijë të punësuar gjithsej në vitin 2022, por rreth 27 mijë e tyre ose 38% e totalit të punësuarve në këtë sektor janë pa pagë. Këta përfaqësojnë të vetëpunësuarit në bizneset familjare, të cilët zyrtarisht raportohen si të punësuar pa pagesë.

Pas tregtisë me pakicë dhe riparimit të automjeteve, aktivitetet e pasurive të paluajtshme raportuan se kanë 30% të të punësuarve pa pagë.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit, por nuk ka rol thelbësor në tregun e punës. Në vitin 2022, në këto aktivitete numëronin 3442 të punësuar gjithsej, ku 30% e tyre nuk ishin më pagë.

Më tej restorantet, sektori i transportit, shërbime profesionale agjencitë e udhëtimeve kanë të punësuar pa pagesë me mbi 25 për qind të totalit te të punësuarve në këto aktivitete (shiko grafikun e mëposhtëm).

Ekspertët e tregut të punës dhe raportet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës e klasifikojnë punën pa pagesë në biznesin e familjes si informalitet dhe krijimin e kushteve për një plagë sociale në të ardhmen.

Të dhëna më të reja të INSTAT referojnë se punësimi pa pagesë në biznesin e familjes është zgjeruar shumë më tepër se punësimi me pagë.

Sipas vlerësimeve të anketës së forcës së punës për vitin 2022, rezulton se për grupmoshën 15 vjeç e lart, 47,0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 31,5% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 21,5% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes./Monitor/

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco