Monedhë kombëtare përmbi euron? Beteja e humbur përballë Euroizimit

Monedhë kombëtare përmbi euron? Beteja e humbur përballë Euroizimit

07:34, 16/12/2023
A+ Aa A-

Banka e Shqipërisë ka nisur që prej vitit 2018 një strategji për uljen e euroizimit të sektorit financiar dhe ekonomisë, por rezultatet deri tani janë të pakta dhe Euro vazhdon të ketë përdorim shumë të lartë në ekonominë tonë. Ndërsa valutizimi nuk është një fenomen i pazakontë për ekonomitë e vogla dhe të hapura, si Shqipëria, ai shtron disa rreziqe që duhen menaxhuar, sidomos në kushtet e një luhatshmërie në rritje të kursit të këmbimit, shkruan Ersuin Shehu në Monitor.

Që nga fillimi i vitit 2002, kur Euro u hodh në qarkullim si monedhë fizike, monedha e përbashkët u vendos në ekonominë shqiptare me një prani imponuese.

Ekonomia shqiptare ishte gjithsesi e valutizuar në një shkallë të konsiderueshme dhe Euro vetëm sa zëvendësoi Markën, Liretën, Dhrahminë, si edhe zhvendosi Dollarin Amerikan.

Faktorët e valutizimit të ekonomisë shqiptare ishin të shumtë dhe në shumicën e tyre, të qartë. Ekonomia shqiptare kaloi një tranzicion të vështirë nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut.

Pas ndryshimit të sistemeve, monedha kombëtare pësoi një zhvlerësim të shpejtë, duke fshirë vlerën e kursimeve të mbledhura. Skemat piramidale dhe trazirat e vitit 1997 dhanë një tjetër goditje të rëndë për themelet e ekonomisë, duke cenuar edhe besimin e publikut në monedhën vendase.

Nga ana tjetër, Eurozona ka qenë dhe mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Vendet që përdorin këtë monedhë janë burimi kryesor i dërgesave të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.

Zona Euro është origjina e shumicës së investitorëve të huaj strategjikë në Shqipëri. Më specifikisht, shumë prej aktorëve të rëndësishëm të sistemit financiar të vendit erdhën nga Eurozona, duke e bërë më të lehtë aksesin në linjat e financimit në monedhën europiane.

Euro erdhi me autoritetin e monedhës së zonës më të fuqishme ekonomike dhe politike në Europë, një ndër më të rëndësishmet në botë.

Aksesi i lartë tek Euro dhe besimi edhe më i lartë i publikut në monedhën europiane bëri atë që Euro të ishte një monedhë paralele në ekonominë shqiptare.

Çmimet e pasurive të paluajtshme dhe të shumicës së aseteve afatgjata, në shumicën dërrmuese, janë të kuotuara në euro. Nëse euroizimi i lartë i ekonomisë shqiptare është, në një masë të madhe, i kuptueshëm, në shumë aspekte ai nuk është pa rreziqe.

Problemet kryesore që shtron euroizimi i lartë janë ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, në rastet kur të ardhurat dhe shpenzimet e subjektit janë në monedha të ndryshme. Gjithashtu, euroizimi i lartë i ekonomisë ul efektshmërinë e politikës monetare dhe mund të vështirësojë shënjestrimin e stabilitetit të çmimeve.

Sa e euroizuar është ekonomia shqiptare?

Shkalla e euroizimit të ekonomisë shqiptare është e vështirë të matet me saktësi, për sa kohë nuk dihet sa është e gjithë sasia e valutës së huaj që qarkullon në ekonomi. Megjithatë, shkalla e lartë e përdorimit të euros mund të konstatohet edhe nga treguesit e disponueshëm statistikorë.

Në fund të muajit shtator të këtij viti, pesha e depozitave bankare në valutë kundrejt parasë së gjerë (agregatit monetar M3) ishte 44%. Mbi këtë bazë, mund të thuhet se të paktën 44% e parasë në ekonominë shqiptare është në valutë të huaj dhe kryesisht në euro.

Megjithatë, duhet konsideruar se pesha e depozitave në valutë ndaj agregatit M3 në vitet e fundit është ndikuar negativisht nga efekti i kursit të këmbimit. Vetëm në harkun e një viti, kursi i këmbimit Euro-Lek është zhvlerësuar me 13%, duke arritur madje nivele të rënies vjetore deri në 14%, në korrik të këtij viti.

Në pesë vitet e fundit, kursi Euro-Lek ka rënë me 16%, ndërsa në dekadën e fundit, rënia e kursit ka arritur në pothuajse 25%.

Nëse e korrigjojmë vlerën e depozitave në valutë nga zhvlerësimi me 25% për shkak të kursit të këmbimi, atëherë ajo do të përbënte rreth 55% të parasë së gjerë.

Duke pasur parasysh nivelin e konsiderueshëm të informalitetit në ekonominë shqiptare, është e arsyeshme të besohet se një vlerë e lartë e euros qarkullon edhe jashtë sektorit bankar. Për këtë arsye, mund të pranohet se shkalla reale e euroizimit është më e lartë se ajo që tregojnë shifrat e disponueshme.

Banka e Shqipërisë, e vetme në “betejë”

Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.

Kjo ishte përpjekja e parë konkrete për të marrë disa masa që tentojnë të ulin euroizimin e ekonomisë. Por, deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar.

Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht t’i ulin ato për Lekun. Masat kryesore ishin rritja e nivelit të rezervës së detyruar për valutat dhe ulja e këtij niveli për Lekun.

Për administrimin më të kujdesshëm të rrezikut të likuiditetit, Banka e Shqipërisë vendosi gjithashtu të rrisë kërkesën minimale rregullative për aktivet likuide në valutë në nivelin 20% të detyrimeve afatshkurtra. Për aktivet likuide në Lekë, raporti u ruajt në nivelin prej 15%.

Një masë tjetër që Banka e Shqipërisë po e aplikon, megjithëse nuk është zyrtarisht pjesë e platformës së deeuroizimit, është aplikimi i normave të diferencuara për remunerimin e rezervës së detyruar të bankave.

Për rezervën e detyruar në lekë, Banka e Shqipërisë u paguan bankave një normë remunerimi (shpërblimi) të barabartë me normën bazë të interesit (aktualisht 3.25%). Për rezervën e detyruar në Euro, aplikohet një normë remunerimi me tavan të sipërm zero, megjithëse norma referuese e Bankës Qendrore Europiane (deposit facility) ka arritur në 4%.

Për monitorimin e efekteve të këtyre masave, Banka e Shqipërisë kryen analiza periodike 6-mujore. Sipas analizës më të fundit, gjysma e parë e vitit 2023 solli përmirësim në disa prej treguesve të strategjisë së deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë.

Në përgjithësi, po vërehet një rritje e lehtë e kreditimit në monedhën vendase, e favorizuar sidomos nga normat më të ulëta të interesit. Për herë të parë këtë vit, normat e interesit për kreditë në lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në euro.

Kjo ka bërë që më shumë huamarrës, sidomos në segmentin e individëve, ta marrin huanë në monedhën vendase. Madje, një pjesë e huamarrësve kanë konvertuar në lekë kreditë që kishin në valutë të huaj. Përveçse nga normat më të ulëta të interesit, kjo tendencë është nxitur edhe nga zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun.

Vlera e treguesit të kredive në valutë ndaj totalit zbriti në 50.3% në fund të qershorit 2023, me një rënie prej 3.3 pikë në harkun e katër viteve të fundit.

Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit (ku kreditë në euro zënë rreth 90%), ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të qershorit 2023, këto kredi shënuan 32.3% të kredive në valutë, ose 16.2% të totalit të kredisë.

Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut. Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të deeuroizimit.

Megjithatë, euroizimi i sektorit bankar paraqitet në rritje për sa u takon depozitave.

Në fund të gjashtëmujorit të parë 2023, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, shënoi nivelin 54.6%. Niveli i raportit është në rritje me 3 pikë përqindje në katër vitet e fundit. Shpërndarja, sipas bankave, vijon të paraqitet relativisht simetrike dhe pesha e depozitave në valutë luhatet nga nivelet 48.6% deri në 61.6%.

Rezulton se 10 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%, e cila potencialisht i bën ato subjekt të normës së rezervës së detyrueshme prej 20%.

Banka e Shqipërisë vëren se ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e turizmit dhe zhvillimet inflacioniste, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale. Për këto arsye, është rritur vështirësia për dallimin e efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco