Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

Rriten tregjet globale pas basteve se Rezerva Federale do të ulë me agresivitet normat e interesit; ECB i mban të pandryshuara

Rriten tregjet globale pas basteve se Rezerva Federale do të ulë me agresivitet normat e interesit; ECB i mban të pandryshuara

19:10, 14/12/2023
A+ Aa A-

Bursat globale u rritën të enjten, pasi investitorët u bënë shumë më optimistë se bankat qendrore globale do të ulnin në mënyrë agresive normat e interesit, pas takimit të fundit të Rezervës Federale të SHBA-ve.

Reagimi erdhi pasi parashikimet e reja nga zyrtarët e Rezervës Federale vunë në dukje se mund të ketë një reduktim të normës me 0.75 pikë përqindjeje vitin e ardhshëm, shumë më tepër nga sa prisnin investitorët. “Është një dhuratë e parakohshme e Krishtlindjeve” nga Fed, tha Charles Hepworth, drejtor investimesh në GAM Investments.

Në Europë, indeksi Europe Stoxx 600 u rrit 1.5 për qind, pika më e lartë e tij që nga janari 2022, ndërsa Dax i Gjermanisë arriti një nivel të ri historik, me 0.8 për qind. FTSE 100 tregtohej 1.6 për qind më i lartë. Kontratat e së ardhmes treguan për fitime të mëtejshme në Nju Jork, me S&P 500 që pritet të rritet me 0.3 për qind në momentin, që do të hapen bursat.

Në tregjet e obligacioneve, yield-i i bonove të thesarit dyvjeçare, që është i ndjeshëm ndaj normës, ra me 0.14 pikë përqindjeje në 4.33 për qind, ndërsa yield-et e bundeve gjermane dyvjeçare, referenca e eurozonës, ra 0.12 pikë përqindje në 2.54 për qind.

Kryetari i Fed Jay Powell tha gjithashtu se “ka të ngjarë që të jemi afër ose në kulmin e ciklit shtrëngues “. Ky është sinjali më i qartë nga banka qendrore e SHBA-ve se fushata e saj shtrënguese ka përfunduar. Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë gjithashtu mbajtën norma interesi të pandryshuara të enjten.

Megjithatë, tregtarët në tregjet e kontratave të këmbimit presin që të ketë të paktën gjashtë ulje të normës me 0.25 pikë përqindjeje si për Fed ashtu edhe për BQE vitin e ardhshëm, dhe të paktën katër nga BoE.

Tregjet nuk e prisnin që Fed të ishte kaq agresiv për sinjalet për uljen e interesave për vitin e ardhshëm.

Sterlina u rrit me 0.7 për qind në 1.2702 dollarë pasi BoE tha se inflacioni “kishte një rrugë për të bërë” derisa të arrinte objektivin e tij, ndërsa rreziqet për parashikimin e saj të inflacionit mbetën në rritje.

Ari u rrit 0.6 për qind në 2,037 dollarë për ons ndërsa indeksi i dollarit, i cili mat monedhën amerikane kundrejt një shporte prej gjashtë homologësh, ra 0.4 për qind, duke arritur në nivelin më të ulët që nga gushti.

Pritjet e tregut për ulje të normave të interesit janë bërë më agresive në javët e fundit, pasi inflacioni më i butë se sa pritej dhe të dhënat ekonomike rritën bindjet se bankat qendrore tashmë kanë shtrënguar mjaftueshëm politikën monetare për të rikthyer inflacionin në objektivat e tyre prej 2 për qind.

ECB i mban normat të pandryshuara

Banka Qendrore Europiane ka sinjalizuar se ka ende “punë për të bërë” për të zbutur presionet e çmimeve pasi i ka lënë të pandryshuara normat e interesit, edhe pse uli parashikimet e saj të inflacionit për këtë vit dhe 2024.

Presidentja e BQE-së Christine Lagarde nuk ishte në një linjë me pritjet e tregut që ajo të ulte normat që në mars, duke thënë se “ne nuk duhet absolutisht të ulim vigjilencën” kundër presioneve inflacioniste.

Vendimi i bankës qendrore të enjten erdhi pasi investitorët shtuan bastet e tyre se bankat e mëdha qendrore po i afrohen më shumë uljes së kostove të huamarrjes, pas sinjaleve nga zyrtarët e Rezervës Federale të SHBA se ata presin të ulin normat në mënyrë më agresive se sa ishte planifikuar më parë vitin e ardhshëm.

Pasi BQE-ja mbajti normën e saj standarde të depozitave në nivelin e saj më të lartë prej 4 përqind për takimin e dytë radhazi, politikëbërësit përsëritën vendosmërinë e tyre për të mbajtur kostot e huamarrjes në “nivele mjaft kufizuese për aq kohë sa është e nevojshme”./Financial Times

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco