Me konçesion edhe furnizimi me ujë të pijshëm

Me konçesion edhe furnizimi me ujë të pijshëm

07:11, 09/11/2023
A+ Aa A-

Qeveria parashikon të zbatojë një qasje të re mbi organizimin dhe funksionimin e sektorit të ujësjellës kanalizimeve që prej dekadash vuan nga problemet financiare dhe cilësia jo e kënaqshme e shërbimeve të ofruara për konsumatorët.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka prezantuar te konsultimet publike projektligjin “Për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane”, ku një nga alternativat është dhe dhënia e shërbimit me koncesion.

Drafti i ri përfshin rregullim të përgjithshëm dhe bashkëpunim nëpërmjet qeverisjes qendrore dhe vendore nëpërmjet 3 formave për ofrimin e shërbimit për furnizim me ujë, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura për 1 zonë ose disa zona bashkë në rast se operatorët e licencuar për këtë shërbim nuk arrijnë të performojnë.

Format e bashkëpunimit për ofrimin e shërbimit parashikohen të jenë nëpërmjet marrëveshjeve me koncesion, kontratat e perfomancës, si dhe operatori i alternativës së fundit.

Për zbatimin e marrëveshjeve koncesionare dhe partneriteti publik privat te shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura neni 25 i projektligjit parashikon se do bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe aktet nënligjore, që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse.

“Studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse për dhënien me koncesion, ose nëpërmjet një marrëveshjeje të partneritetit publik privat, miratohet parimisht nga ministria përgjegjëse për Infrastrukturën dhe nga ERRU-ja, brenda 3 muajve nga paraqitja e tij.

Vetëm pas marrjes së miratimit, sipas pikës 2 të këtij neni, njësia e vetëqeverisjes vendore vijon me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, përcaktohet në projektligj.

Forma tjetër e bashkëpunimit mes dy pushteteve për furnizimin me ujë të pijshëm kur ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve dështojnë do të jetë edhe nëpërmjet kontratave të perfomancës.

“Ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe autoriteteve të qeverisjes qendrore lidhen kontrata performance, të cilat përcaktojnë treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore nga operatorët. Kontratat e performancës nënshkruhen nga agjencia kombëtare për furnizimin me ujë të pijshëm, largimin, grumbullimin dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse. Në rastet e SKP-ve të krijuara me pjesëmarrjen edhe të ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, kontrata e performancës nënshkruhet ndërmjet asamblesë së përgjithshme të operatorit dhe administratorit te tij”, citohet në neni 24 të draftit.

Operatori i alternativës së fundit është një tjetër formë bashkëpunimi që përcaktohet në projektligj. Do të jetë operatori, që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të largimit, grumbullimit e trajtimit të ujërave të ndotura urbane për një, ose më shumë zona shërbimi, në rast të mosperformancës nga operatori i licencuar.

Operatori i alternativës së fundit mund të jetë me kapital shtetëror, ose privat dhe në çdo rast i nënshtrohet licencimit nga ERRU-ja për të ushtruar veprimtarinë në përputhje me kohëzgjatjen e përcaktuar në licencën e lëshuar prej tij.

Projekt-ligji nuk parashikon krijimin e ndonjë institucioni të ri publik në nivel qendror apo vendor që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e furnizimit me ujë dhe grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane.

Pjesa më e madhe e ujësjellësve në vend kanë një performancë negative financiare. Ato rezultojnë me humbje, teksa kanë detyrime të larta ndaj institucioneve të tjera, kryesisht për faturat e energjisë. Si rrjedhojë qeveria ka vendosur riorganizimin e tyre./ D.Azo

Neni 24

Kontrata e performancës

Ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe autoriteteve të qeverisjes qëndrore lidhen kontrata performance, të cilat përcaktojnë treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore nga operatorët.
Kontratat e performancës nënshkruhen nga agjencia kombëtare për furnizimin me ujë të pijshëm, largimin, grumbullimin dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse.
Në rastet e SKP-ve të krijuara me pjesëmarrjen edhe të ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, kontrata e performancës nënshkruhet ndërmjet asamblesë së përgjithshme të operatorit dhe administratorit te tij.
Ministri përgjegjës për infrastrukturën miraton me udhëzim, çdo vit, brenda 9 mujorit kontratën tip të performancës, që do të nënshkruhet në vitin pasardhës ndërmjet palëve, të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.
Objektivat e kontratës së performancës të lidhur sipas këtij neni, reflektohen në planin e biznesit të operatorëve përkatëse.

Neni 25

Marrëveshjet koncesionare dhe partneriteti publik privat

Dhënia me koncesion, apo me një marrëveshje të partneritit publik privat, e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe aktet nënligjore, që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse.
Studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse për dhënien me koncesion, ose nëpërmjet një marrëveshjeje të partneritetit publik privat, miratohet parimisht nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe nga ERRU-ja, brenda 3 muajve nga paraqitja e tij.
Vetëm pas marrjes së miratimit, sipas pikës 2 të këtij neni, njësia e vetëqeverisjes vendore vijon me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat.

Neni 26

Operatori i alternativës së fundit

Operatori i alternativës së fundit është operatori, që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të largimit, grumbullimit e trajtimit të ujrave të ndotura urbane për një, ose më shumë zona shërbimi, në rast të mosperformancës nga operatori i licencuar.
Operatori i alternativës së fundit mund të jetë me kapital shtetëror, ose privat dhe në çdo rast i nënshtrohet licencimit nga ERRU-ja për të ushtruar veprimtarinë në përputhje me kohëzgjatjen e përcaktuar në licencën e lëshuar prej tij.
Në rastet kur ERRU-ja vendos heqjen e licencës së një ose më shumë operatorëve, sipas dispozitave të këtij ligji, kryerja e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit e trajtimit të ujrave të ndotura urbane në zonën e shërbimit merret përsipër nga operatori i alternativës së fundit.
Në rastin kur operatori i alternativës së fundit është me kapital shtetëror, ERRU-ja me vendim të veçantë cakton një nga të licencuarit ekzistues me performancën më të mirë, ose krijimin e një operatori me kapital shtetëror, pronë e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, si operatori i alternativës së fundit, që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet për një ose më shumë zona shërbimi.
Krijimi, vlera e kapitalit themeltar dhe statuti i operatorit me kapital shtetëror, që përcaktohet si operatori i alternativës së fundit, sipas pikës 3 të këtij neni, propozohen nga ministri përgjegjës për infrastruktuturën dhe ministri përgjegjës për financën dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Operatori i alternativës së fundit pajiset me licencë nga ERRU-ja sipas dispozitave të këtij ligji për zonën përkatëse të shërbimit.
Kushtet e shërbimit të përcaktuara sipas pikës 1 marrin parasysh gjendjen aktuale të sistemeve të grumbullimit, prodhimit dhe shpërndarjes e furnizimit me ujë të pijshëm dhe tarifat dhe të ardhurat financiare të operatoreve të miratuara nga ERRU-ja, si dhe mbështetjen financiare që qeveria alokon në sipas programit buxhetor afatmesëm./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco