Bankat tregtare kanë përfshirë rrezikun e kursit të këmbimit në listën risqeve kryesore të sistemit bankar

Bankat tregtare kanë përfshirë rrezikun e kursit të këmbimit në listën risqeve kryesore të sistemit bankar

18:39, 23/10/2023
A+ Aa A-

Për herë të parë që nga viti 2018, bankat tregtare kanë përfshirë rrezikun e kursit të këmbimit në listën risqeve kryesore të sistemit bankar. Banka e Shqipërisë bën me dije se përgjigjet nga industria bankare kanë sugjeruar një renditje dhe vlerësim të ndryshuar të rreziqeve kryesore sistemike për gjysmën e parë të vitit 2023, diktuar nga faktorë si ecuria e inflacionit, rritja e normave të interesit, zhvillimet në mjedisin e jashtëm dhe luhatjet e kursit të këmbimit.

Banka Qendrore bën me dije se sektori bankar ka vijuar të klasifikojë “rrezikun e inflacionit” si rrezikun kryesor sistemik në vend edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, por perceptimi mbi të ka qenë në zbutje. Zhvillimet gjeopolitike dhe makro-financiare në mjedisin e jashtëm si vijimi i luftës në Ukrainë, normat ende të larta të inflacionit në nivel global, rritja e shpejtë e normave të interesit etj., duket se kanë rritur shqetësimin e bankave mbi “rrezikun e transferimit të goditjeve nga jashtë”, duke e vlerësuar atë si rrezikun e dytë më të rëndësishëm sistemik të periudhës. Kategoria “rreziqe të tjera” ku përfshihet kryesisht rreziku nga sulmet kibernetike ka vijuar të mbetet në listën e rreziqeve të rëndësishme. Shtimi i këtyre sulmeve gjatë vitit të kaluar, duket se i ka bërë bankat më të vetëdijshme për këtë rrezik, ndërsa një pjesë e tyre kanë deklaruar se kanë ndërmarrë tashmë veprime konkrete për përmirësimin e sistemeve mbrojtëse, raporton Banka e Shqipërisë.

Normalizimi i politikës monetare brenda dhe jashtë vendit, si përgjigje ndaj rritjes së inflacionit, duket se ka rritur shqetësimin e bankave tregtare mbi rrezikun e luhatjes së normave të interesit dhe pasojat në portofolet e tyre, ndaj vlerësimi për nivelin e rëndësisë së këtij rreziku ka vijuar të rritet. Për herë të parë që nga viti 2018 në listën e rreziqeve më të rëndësishme sistemike të periudhës është përfshirë dhe “rreziku nga paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit”. Deri më sot, vlerësimi për këtë rrezik ka qenë minimal, thekson në analizën e saj Banka e Shqipërisë, por shpejtësia e fortë mbiçmuese e lekut, veçanërisht ndaj euros gjatë këtij viti është konsideruar nga bankat tregtare si një burim rreziku. Ky rrezik ka shënuar një kapërcim të ndjeshëm krahasuar me periudhat e kaluara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco