Lajmi i fundit

ODEON/ Muza e Operas, Eva Golemi rrëfen momentin e sikletshëm: Në arien e dytë djali kërkonte bukë

Ambicia e pakufijshme e Gjirit Persik për të ndryshuar botën

Ambicia e pakufijshme e Gjirit Persik për të ndryshuar botën

22:02, 13/10/2023
A+ Aa A-

Tani rajoni dëshiron të eksportojë modelin e tij gjetiu. Por ai përballet me rreziqe të mëdha, shkruan The Economist

Image

Nëse mendonit se Lindja e Mesme ishte në stanjacion, mendohuni sërish. Ekonomitë e Gjirit Persik, në fakt janë ndër më të pasurat dhe më të gjallat në planet, falë çmimit të naftës së papërpunuar që u rrit në mbi 90 dollarë për fuçi këtë javë.

Një sasi prej 3.5 trilionë dollarësh që vjen nga karburantet fosile, po shpenzohet për gjithçka, nga modelet e Inteligjencës Artificiale të prodhuara në vend dhe qytetet e reja në shkretëtirë, deri te mbushja e arkës së fondeve të pasurisë sovrane, të cilat qarkullojnë nëpër tregjet e kapitalit në botë.

Ndërsa flukset e parave hyjnë, duket se trazirat po ulen, falë zhvillimit të diplomacisë ndër dekada. Arabia Saudite dhe Irani kanë biseduar për uljen e tensioneve.

Të dyja shtetet kanë një rivalitet i cili ka zgjatur që nga koha e revolucionit iranian në vitin 1979.

Luftërat civile në Siri dhe në Jemen po vrasin tashmë më pak njerëz, pasi sponsorët e tyre kërkojnë zbutjen e fërkimeve.

Pas “Marrëveshjeve të Abrahamit” midis Izraelit dhe disa qeverive arabe, Arabia Saudite po shqyrton si mundësi njohjen e shtetit hebre, 75 vjet pas krijimit të tij.

Ndikimi global i rajonit po rritet. Katër vende janë gati t’i bashkohen klubit BRICS të fuqive, të cilat dëshirojnë një botë më pak të mbizotëruar nga Perëndimi.

Këto ndryshime nisin një kapitull të ri në Lindjen e Mesme, të shënuar nga mundësi dhe rreziqe të reja.

Udhëheqësit e rajonit po vënë në provë idetë që kanë zënë vend në një pjesë të mirë të botës, duke përfshirë pranimin e pragmatizmit autokratik si zëvendësues për demokracinë dhe diplomacinë multipolare, në vend të rendit të udhëhequr nga Amerika pas vitit 1945.

Lindja e Mesme është gjithashtu një vend ku kërcënimet që do t’i kanosen botës në vitet 2030, mund të shfaqen herët, duke përfshirë përhapjen e armëve bërthamore, motin e skajshëm dhe pabarazinë edhe më të madhe, teksa vendet e dobëta mbeten më mbrapa.

Shumë presidentë amerikanë janë larguar nga Shtëpia e Bardhë duke uruar që të mund të harronin gjithçka për Lindjen e Mesme.

Por pavarësisht nëse drejtoni një superfuqi apo një biznes të vogël, ky rajon ka rëndësi më shumë se kurrë.

Edhe pse mban vetëm 6% të banorëve në botë, ai ka një rol kyç në ekonominë globale. Si prodhuesi me kosto më të ulët të naftës, pjesa e tij në eksportet e papërpunuara është në nivelin 46% dhe po rritet.

Pjesa e Lindjes së Mesme në eksportet e gazit natyror të lëngshëm, që ka qenë në kërkesë të lartë që nga ndalja e furnizimeve me gaz rus në Europë, është 30% dhe po rritet.

Falë vendndodhjes së rajonit, 30% e gjithë tregtisë së kontejnerëve dhe 16% e ngarkesave ajrore në botë, kalojnë nëpër Lindjen e Mesme.

Me 3 trilionë dollarë asete, fondet e pasurisë sovrane janë ndër më të mëdhatë në botë. Luftërat dhe trazirat e rajonit shpesh kapërcejnë kufijtë; refugjatët e tij ndikojnë politikat deri në Europë.

Dy dekadat e fundit kanë qenë fatkeqe për Lindjen e Mesme. Projektet demokratike përfunduan me dështim dhe gjakderdhje: në Irak, pas pushtimit të udhëhequr nga amerikanët në vitin 2003 dhe në disa vende të tjera, pas pranverës arabe në vitin 2011.

Shteti Islamik u përpoq të vendoste me dhunë një kalifat, ndërsa në Siri, Bashar al-Assad sulmoi qytetarët e vendit me klor dhe agjentë nervorë.

Megjithatë, tani, ndërsa lufta po zbehet, po dalin në sipërfaqe tri ndryshime të mëdha. Së pari, rajoni duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e tij, pasi dëshira e Amerikës për të ndërhyrë ushtarakisht është venitur.

Krahas kësaj, modelet e tregtisë janë bërë shumëpolare: FMN-ja llogarit se 26% e eksporteve të mallrave të Lindjes së Mesme shkojnë në Kinë dhe Indi, pothuajse sa dyfishi i nivelit në vitin 2000 dhe afërsisht sa dyfishi i përqindjes që shkon në Amerikë dhe Europë.

Kohët e fundit, ky riorganizim gjeopolitik ka çuar në një dëshirë për të ulur trazirat.

Së dyti, tranzicioni i energjisë krijon një nevojë urgjente për t’i shpëtuar varësisë nga nafta, kërkesa për të cilën herë ulet e herë ngrihet.

Gjiri Persik duhet të rrisë prodhimin e karburanteve fosile në dekadën e ardhshme, përpara se kërkesa të zvogëlohet përgjithmonë dhe duhet të shpenzojë të ardhura në diversifikimin e ekonomive lokale.

Ndryshimi i fundit që po ndodh ka të bëjë me opinionin publik. Njerëzit në Lindjen e Mesme janë lodhur nga eksperimentet politike, qofshin ato demokratike apo islamike.

Ata dëshirojnë mundësi ekonomike. Harrojeni Kanadanë apo Suedinë: sondazhet tregojnë se vendi që arabët e rinj admirojnë më shumë, janë Emiratet e Bashkuara Arabe, me qëndrueshmërinë e lartë dhe ekonominë që ka lulëzuar nën sundimin dinastik me grusht të hekurt.

Në të njëjtën kohë, më pak përfshirje perëndimore në siguri dhe tregti, nënkupton edhe më pak trysni për të drejtat e njeriut ose demokracinë.

Image

Tallja nuk mungon

Disa nga ndryshimet e rajonit janë pritur me tallje. I tillë është një projekt me emrin NEOM, që planifikon ndërtimin e një qyteti të ri me pamje të çuditshme, për një vlerë prej rreth 500 miliardë dollarësh, me vendim të Muhamed bin Salman, sundimtarit de facto të Arabisë Saudite.

Por ndryshimet e tjera janë të qëndrueshme dhe të thella. Më shumë gra po punojnë në Gjirin Persik. Turistët izraelitë po dynden në Dubai.

Në të gjithë rajonin, ekonomia që nuk ka lidhje me naftën, po rritet me një normë të shëndetshme vjetore prej 4% dhe gjithashtu po rriten edhe investimet e kompanive shumëkombëshe ndërkufitare.

Është e mundur të imagjinohet se si një cikël i virtytshëm i qëndrueshmërisë dhe paqes, mund të çojë në më shumë investime dhe tregti që rrisin standardet e jetesës dhe begatinë, duke përmbysur një prirje të gjatë dështimi, në këtë pjesë të botës me rreth 500 milionë njerëz.

Megjithatë, për ta arritur këtë, Lindja e Mesme duhet të kapërcejë disa probleme të mëdha. Shumë prej tyre janë të njohura.

Autokratët më të shkolluar të rajonit argumentojnë se nevojitet njëfarë llogaridhënieje për të përmirësuar kushtet e popullsisë.

Por regjimet me sundim absolut zakonisht shkojnë drejt kalbjes. Rreziqe të tjera janë të reja, ose më saktë, duken më kërcënuese se kurrë.

Tani që Irani është në prag të armatimit me armë bërthamore, përhapja e këtyre armëve është një shqetësim mjaft i madh.

Ndryshimi i klimës nënkupton se një nga vendet më të nxehta dhe më të thata në botë, përballet me mot edhe më të skajshëm.

Vetëm disa shtete mund të përballojnë investimet, siç janë rimodelimi i qyteteve dhe projektet e shkripëzimit, që u nevojiten për të mbetur të banueshme.

Rregulli 80:20

Mbi të gjitha, Lindja e Mesme është më e pabarabartë se kurrë. Shtetet që përfaqësojnë historitë e suksesit në këtë rajon, ato të Gjirit Persik dhe Izraeli, përbëjnë vetëm 14% të popullsisë, por 60% të PBB-së, 73% të eksporteve të mallrave dhe 75% të investimeve të brendshme nga kompanitë shumëkombëshe.

Nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, deri tek Arabia Saudite dhe Jemeni, ekonomitë moderne ndajnë kufijtë me shtete të zhytura në dëshpërim. Libani është mbërthyer nga një krizë financiare; Egjipti mund të shkojë drejt së njëjtës rrugë.

Shtetet “fituese” të Lindjes së Mesme mishërojnë një mentalitet transaksional që mund t’i bëjë edhe më të pasur. Ndërsa humbësit janë një kujtesë se në një botë me më pak rregulla dhe parime, askush nuk do të vijë për shpëtim.

Prandaj, ndërsa mbushni makinën me naftë ose prisni për ardhjen e pakos së porositur online, kini parasysh se ato varen nga një rajon që është një laborator ekonomik dhe politik, dhe lutuni që eksperimenti të mos dështojë.

Monitor

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco