Bursa shqiptare bëhet me 15 anëtarë, çmimi mesatar i energjisë shkon në 99,39 euro/MWh

Bursa shqiptare bëhet me 15 anëtarë, çmimi mesatar i energjisë shkon në 99,39 euro/MWh

07:32, 11/10/2023
A+ Aa A-

Numri i anëtarëve të regjistruar në Bursën Shqiptare të Energjisë ka arritur në 15.

Të dhënat periodike të publikuara nga ALPEX tregojnë se anëtari i fundit është regjistruar në fillim të shtatorit dhe pavarësisht se ka një rritje graduale muaj pas muaji që nga prilli, kur nisi aktivitetin kjo platformë, sërish numri i anëtarëve mbetet i kufizuar.

Aktualisht në bursë po vijon të tregtohet një sasi e kufizuar e energjisë ku për tetorin, në datat 1-11 në tregun e ditës në avancë u regjistruan 33.3 mijë MWh energji ndërkohë që çmimi mesatar i energjisë për këto data ishte 99.39 euro/MWh.

Gjatë shtatorit në këtë bursë u tregtuan 66.7 mijë MWh energji ndërkohë që çmimi mestar për këtë periudhë sipas të dhënave të raportuara ishte 103.84 euro/MWh.

Bursa e Energjisë që nisi operimin këtë vit ishte një ndër hallkat e shumëkërkuara të tregut por edhe të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë por transaksionet brenda saj zënë një fraksion të totalit të energjisë që tregtohet në vend.

Kjo edhe për faktin që ende ka subjekte që operojnë në tregun e lirë jashtë bursës.

Në një intervistë dhënë për “Monitor” Administratori i OST (mbajtësja e shumicës së aksioneve të ALPEX) Skerdi Drenova, konfirmoi se aktualisht po punohet për operacionalizimin e tregut të ditës në avancë për zonën e ofertimit të Kosovës, pasi për momentin funksionon vetëm pjesa e Shqipërisë.

ALPEX do të operacionalizojë tregun e ditës në avancë për zonën e ofertimit të Kosovës së bashku me bashkimin e tregjeve të energjisë Shqipëri-Kosovë si i pari projekt në Ballkanin perëndimor.

Ne e kemi pasur të qartë rëndësinë dhe kompleksitetin e këtij projekti, por kemi vënë përpara interesat e të dy vendeve kur vendosëm të bëjmë bashkimin e tregjeve brenda disa muajve pas lancimit në Shqipëri.

ALPEX do të prezantojë në muajin prill të vitit të ardhshëm tregun e ankandit brenda së njëjtës ditë me tre ankande për Shqipërinë dhe në muajin qershor së bashku me bashkimin e tregut e ankandit brenda së njëjtës ditë me Kosovën që është përsëri projekti i parë në ËB6” pohoi Drenova.

Një nga pikëpyetjet e funksionimit të Bursës ka të bëjë me faktin që KESH ble jashtë saj por më herët nga Korporata sqaruan arsyet për këtë.

“Bursa e energjisë e Shqipërisë është një bursë e ditës në avancë, në të cilën qarkullojnë flukse energjie vetëm për ditën e ardhshme.

Me qëllim menaxhimin e flukseve të energjisë së prodhuar, në veçanti në kushtet e prodhimit gjatë prurjeve të mëdha, garantimi i niveleve të sigurisë së rezervës hidrike kërkojnë që prodhimi i energjisë të qarkullojë në periudha më të gjata se të ditës në avancë.

Gjithashtu sqarojmë se, jo çdo sasi e energjisë e shpallur për t’u tregtuar, arrihet të tregtohet në bursë, efekt ky që sjell nevojën e qarkullimit të produktit të energjisë me shitje, kur rezervimi i tij është i pamundur, përndryshe garantimi i sigurisë së digave do të sillte menaxhim të prurjeve me shkarkime pa prodhim” do të nënvizonin përfaqësues të KESH për “Monitor”.

Aktualisht KESH u është rikthyer blerjeve të energjisë gjatë dy muajve të fundit për sigurimin e furnizimit në vend duke zhvilluar disa ankande./N.Maho/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco