Zgjedhja e Drejtorit të ri të AMF-së, të paktën katër kandidatë në garë

Zgjedhja e Drejtorit të ri të AMF-së, të paktën katër kandidatë në garë

10:11, 04/10/2023
A+ Aa A-

Në fund të muajit shtator, Kryeministria mbylli fazën e aplikimeve për përzgjedhjen e kandidatit që do t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Ky pozicion ngeli vakant muajin e kaluar, pasi Ervin Mete u lirua nga detyra për tu emëruar në vijim si Ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Kryeministria nuk ka publikuar ende një listë zyrtare të kandidatëve që kanë aplikuar. Megjithatë, sipas burimeve nga tregu, në proces kanë aplikuar të paktën katër kandidatë: Pajtim Melani, Redi Lleshi, Armand Reveli dhe Petrit Perhati.

Pajtim Melani ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mes viteve 2015 dhe 2019, ndërsa në vitin 2020 ka kandiduar edhe për postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Përveç detyrës si anëtar joekzekutiv i Bordit të AMF, Melani ka mbajtur pozicione drejtuese edhe në Autoritetin e Konkurrencës dhe në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Ai mban titullin shkencor “Doktor” nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

Kandidati Redi Lleshi vjen nga zyra e Kryeministrit dhe mban detyrën e këshilltarit të Kryenegociatorit për Integrimin në Bashkimin Europian. Më herët, Redi Lleshi ka mbajtur pozicione drejtuese në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në Ministrinë e Integrimit Europian.

Armand Reveli deri vitin e kaluar ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ndërsa më herët ka qenë Drejtor i Auditit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Aplikanti tjetër, Petrit Perhati, vjen nga sektori privat dhe nuk rezulton të ketë pasur detyra të mëparshme drejtuese në sektorin publik.

Një emër tjetër që ka qarkulluar në javët e fundi ka qenë ai i zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero. Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, ajo nuk rezulton në listën e kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozicion pranë Kryeministrisë.

Sipas ligjit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në rast të lirimit nga detyra të ndonjërit prej anëtarëve të Bordit përpara afatit, anëtari tjetër emërohet me të njëjtën procedurë, siç është emëruar anëtari që lirohet, për periudhën deri në përfundim të mandatit të anëtarit që lirohet. Bazuar mbi këtë përcaktim ligjor, anëtari i Bordit që do të marrë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv nuk do të ketë një mandat të plotë 5-vjeçar, por një mandat të pjesshëm, deri në vitin 2025, kur mbyllej mandati i drejtorit të mëparshëm. Për shkak se mandati do të jetë i pjesshëm, afërsisht një vit e gjysëm, interesi i kandidatëve të mundshëm në këtë proces mund të jetë i kufizuar.

Sipas ligjit, anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse.

Ligji kërkon që kandidati për Anëtar i Bordit të AMF-së të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në fushat ekonomike, juridike ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën 5 vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco