Industria dhe eksportet goditen nga kursi i këmbimit dhe rritja e kostove

Industria dhe eksportet goditen nga kursi i këmbimit dhe rritja e kostove

08:18, 30/09/2023
A+ Aa A-

Pasi u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, pas rënies nga pandemia vitin e mëparshëm, sektori i industrisë u ngadalësua sërish në vitin 2022.

Sipas të dhënave të INSTAT, industria në total u rrit me 5.45% në vitin 2022, nga 10.4% vitin e mëparshëm, ndërsa ajo përpunuese me 7%, nga 11.1% në vitin 2021.

Tendenca vijoi dhe në pjesën e parë të 2023, ku në tremujorin e parë, zgjerimi i industrisë ishte vetëm 1.23% dhe ai i sektorit përpunues, afër zeros (0.56%).

Ndonëse shitjet u rritën, të favorizuara nga shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para, edhe kostot ishin më të larta, sidomos energjia, të cilën prodhuesit e blejnë në tregun e lirë.

Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër arsye që po ndikon negativisht te prodhimi.

Për eksportuesit, goditja më e madhe ishte rënia e Euros, që ka ulur arkëtimet e tyre në Lekë.

Aktiviteti i industrisë po zgjerohet me ritme shumë më të ulëta se ai i sipërmarrjeve të tjera, si ndërtimi dhe energjia, duke bërë që shumë prej tyre të dalin nga lista e “Monitor 200”, sipas të ardhurave.

“Kurum” është kompania më e madhe në Shqipëri në sektorin e industrisë, me të ardhura 46.2 miliardë lekë (rritja 10.5%) e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve dhe shtimi i kërkesës.

“Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh i naftës bruto, shënoi rritje të të ardhurave me 19%, në 26.8 miliardë lekë.

Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, e rriti aktivitetin me 36% në vitin 2022, në 18.7 miliardë lekë.

Prodhuesi i pijeve freskuese “Coca Cola” rriti të ardhurat me 17%, në 5.3 miliardë lekë, duke vijuar për të dytin vit radhazi me zgjerim dyshifror. Sipas të dhënave nga bilanci, 56% e shitjeve vijnë nga produkti “Coca- Cola”, 40% nga “Fanta” dhe pjesa tjetër nga “Sprite” dhe “Schweppes”.

Por, kompania po përballet me rritjen e vazhdueshme të kostove dhe problematikën e fuqisë punëtore. Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para në tregjet e huaja, vjet, te shtrenjtimi i kostove prodhuese ndikoi edhe rritja e disa taksave.

Me ndryshimet e paketës fiskale u hoq skema e TVSH-së së kreditueshme 6%, u vendos akcizë e gazit 6 lekë/litër dhe u vendos 10% TVSH-ja tek inputet bujqësore të përjashtuar prej 2018-s.

CEO i kompanisë “Coca Cola” në Shqipëri, Luca Busi, ka pohuar më herët për “Monitor” se ndryshimet e shpeshta të taksave mund të kenë vetëm ndikim negativ në biznes.

“Ndryshimet tatimore duhet të hartohen, të ndahen dhe t’u nënshtrohen konsultimeve me biznesin, një vit përpara hyrjes në fuqi, duke i dhënë kështu realiteteve të biznesit që mbështesin vendin, mundësinë për të fituar njohuri dhe qartësi në lidhje me udhëzimet e funksionimit, duke marrë masat e duhura për të përafruar dhe për t’u pajtuar me ligjet sapo të hyjnë në fuqi”, u shpreh ai.

“Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 3.1 miliardë lekë, me rritje 9%. Aktiviteti kryesor i shoqërisë ka qenë prodhimi dhe tregtimi i mallrave ushqimore, kryesisht në rrjetet e supermarketeve, por edhe shitje me shumicë për bizneset në gjithë territorin e vendit.

Sipas raportit të aktivitetit, tipar dallues i kësaj periudhe është rritja e të ardhurave nga aktiviteti i shfrytëzimit, e cila ka ardhur nga shumë faktorë, ku më kryesorët janë përmirësimet në strukturën e grupit të mallrave ushqimore, përmirësimi i cilësisë së mallrave nga furnizimet brenda dhe jashtë vendit, rritja e cilësisë së produkteve të prodhuara nga vetë njësia, etj.

Grupi EHW, me aktivitet në përpunimin e mishit, prodhimin e ujit, supermarkete etj., raportoi 7.5 miliardë lekë të ardhura, me zgjerim vjetor prej 14%. Prej disa vitesh, EHW raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama”.

Sipas raportit vjetor, “Shoqëria EHW ka investuar gjatë vitit 2022 në rinovimin e teknologjisë për të rritur konkurrueshmërinë në treg. Një investim të rëndësishëm ka bërë dhe shoqëria ‘Qafshtama’, pjesë e grupit, e cila po vazhdon kompletimin me linjat teknologjike të prodhimit në fabrikën e dytë edhe për pijet joalkoolike.

Në vitin 2022 është investuar edhe në hapjen e supermarketeve të reja. Gjatë vitit që u mbyll, shoqëria ka pasur në qendër të vëmendjes politikat për mbrojtjen e mjedisit. Për këtë qëllim janë instaluar në dy stabilimente impiante fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike”.

“Lajthiza Invest”, me aktivitet në prodhim, ambalazhim, tregtim i ujit natyral ishte për të dytin vit radhazi në renditjen e “Monitor 200”. Të ardhurat u rritën me 17%, në 2.5 miliardë lekë.

“CWI-Albania” (ÇOKYASAR WIRE INDUSTRY ALBANIA) është një nga sipërmarrjet më të reja në fushën e industrisë, një investim dhe bashkëpronësi shqiptaro-turke. E themeluar në vitin 2019, kompania nisi prodhimin e telave të galvanizuar, që përdoren për rrjeta ose kosha.

Kompania hyri për herë të parë në listën e “Monitor 200” në 2021. Në vitin 2022, të ardhurat u rritën me 22.4%, në 2.7 miliardë lekë. Sipas burimeve të kompanisë, investimi është rreth 6 milionë euro dhe aktiviteti nisi në janar 2021, pas disa vonesave për shkak të pandemisë.

“Maccaferri Balkans” është një hyrje e re në listën e sipërmarrjeve të industrisë të përfshira në “Monitor 200”, pas rritjes së të ardhurave me 57%, në 2.5 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, Shoqëria operon në tregun shqiptar prej afro 14 vitesh dhe në atë botëror, me një përvojë mbi 140 vjet.

Objekt kryesor ka aktivitetin e prodhimit dhe tregtimit të produkteve me përdredhje të dyfishtë (si gabione, materase dhe rrjeta), rrjetave në formë unazore dhe tregtimin e produkteve gjeosintetike të përdorura për të zgjidhur problemet në lidhje me kontrollin e erozionit, mbrojtjen e terrenit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vitit 2022, me zgjerimin e stabilimentit të ri në Autostradën Durrës-Tiranë, Xhafzotaj, ku ushtron aktivitetin e saj, shoqëria rriti numrin e linjave të prodhimit nga 4 në 12, të cilat kanë trefishuar kapacitetet prodhuese.

Shoqëria ka rritur ndjeshëm dhe forcën punëtore, mesatarisht 160 punonjës.

Industria e përpunimit të peshkut, nën potencial për shkak të kuotave

Industria e përpunimit të peshkut, e cila punon kryesisht me modelin e materialit të porositësit, ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit.

Por, sektori pengohet nga kufizimi i kuotave të eksportit. Për të shtuar eksportin e peshkut të përpunuar, industria prej vitesh e thekson se është i domosdoshëm negocimi për rritjen e kuotave të açuges së konservuar.

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar.

Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, prej vitit 2015, kuotat e eksportit përmbushen që në muajt gusht apo tetor.

Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore.

Momentalisht ata kanë operuar, duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet. Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend.

Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.

Humbjet nga rënia e Euros gjithashtu përbëjnë shqetësim edhe për eksportuesit e industrisë përpunuese të peshkut.

Sipas INSTAT, në 2022, eksportet e grupit “Peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme”, ranë me 5.3% në sasi, një tendencë në tkurrje u konstatua për herë të parë që nga viti 2019.

Të ardhurat u rritën lehtë me 3% për shkak të shtrenjtimit të çmimeve. Tendenca negative vijoi dhe në pjesën e parë të 2023. Për 6-mujorin, eksportet e këtij grupi ranë me 1% në vlerë dhe ishin të pandryshuara në sasi.

“CORAL” mbetet sipërmarrja më e madhe përpunuese e peshkut në vend. Të ardhurat në vitin 2022 ishin 3.44 miliardë lekë, me rritje 3.7% me bazë vjetore.

Për herë të parë në listë ka hyrë edhe “Rozafa”, që rriti të ardhurat me 30%, në 2.3 miliardë lekë.

Eksportuesit e veshjeve të këmbëve vuajnë rënien e Euros

Ndonëse industria e veshjeve të këmbëve e mori veten në 2021-2022, pas rënies që shënoi në vitin pandemik, rritja e kërkesës nga partnerët e huaj po pengohet nga dy sfida.

Së pari, rënia e ndjeshme e Euros ka ulur të ardhurat në Lek të eksportuesve, e dukshme sidomos gjatë 2022 dhe 2023.

Së dyti, ata po përballen me probleme të mëdha në gjetjen e fuqisë punëtore, duke bërë që të mos e përballojnë dot kërkesën nga porositësit.

Këtyre u shtohen dhe shtimi i kostove, i ndikuar në pjesën më të madhe nga rritja e pagës minimale, që në prill 2023 u bë 40 mijë lekë. Edhe më herët, kompanitë po i rrisnin pagat, si një masë për të frenuar ikjen e punonjësve.

Sipërmarrjet e prodhimit të këpucëve, që kanë një cikël pothuajse të mbyllur, kanë dhe faturim më të lartë, duke qenë pjesë e “Monitor 200”, në raport me ato të tekstileve, që kryejnë vetëm disa procese në vend.

Në vitin 2022, për herë të parë ka hyrë në listën e “Monitor 200”, sipërmarrja “Efa Solution”, e specializuar në prodhimin e këpucëve. E krijuar në 2015, “Efa Solution” është tashmë më e madhja e këtij segmenti në vend, me të ardhura prej 2.6 miliardë lekësh në vitin 2022, me rritje vjetore prej 77%.

“Efa Solution” është modeli i asaj që nuk e arritën shumë sipërmarrje të këtij sektori për të kaluar në një nivel zhvillimi më të lartë sesa thjesht puna me material porositësi. “Rritja e biznesit konsiston në rishtimin e prodhimit me cikël të mbyllur.

Në vitin 2022, ne kemi prodhuar mbi 60% të volumeve në cikël të mbyllur.

Kjo është strategjia jonë, pasi e shohim të brishtë segmentin fason.

Në fason do të vazhdojmë me segmentin e mesëm e të lartë me këpucë të përfunduara, si dhe atë të lartë për pjesën e ‘uppe’, ku ende ka potencial dhe kërkesë për fason”, thotë Eva Laro, themeluese dhe administratore e “Efa Solution”. Kompania ka rreth 700 të punësuar.

“Albaco Shoes” ka raportuar rritje të lehtë të të ardhurave totale me 1.6% në 2.1 miliardë lekë, por arkëtimet nga shitjet për eksport janë tkurrur me 0.5%. Në raportin e aktivitetit, administratori i shoqërisë me pronësi italiane thekson se “Albaco Shoes”, gjatë vitit 2022 ka pasur një ecuri jonormale të aktivitetit të saj.

Faturimet kanë pësuar një ulje me rreth 0.53% në krahasim me vitin 2021, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.

Kostot e prodhimit kanë shënuar rritje rreth 1.4% në krahasim me vitin 2021. Numri i të punësuarve është reduktuar rreth 14.33% në krahasim me vitin 2021. Çmimet e faturimit janë ulur me 1.5%.

“Fital” ka raportuar rritje të ardhurash me 23% në 2.2 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit, efekte negative në treguesit e vitit 2022 ka dhënë kursi i këmbimit të Euros, e cila në fillim të vitit 2022 ka qenë 120.76 lekë/euro, ndërsa në fund të vitit 2022 arriti 114.23 lekë/euro.

Shoqëria ka rritur vazhdimisht pagat, si një mjet për të mbajtur punonjësit në punë. Sipas raportit të aktivitetit, në 2020-n, paga mesatare për punonjës ishte 29.3 mijë lekë, në vitin 2021 arriti në 34.9 mijë lekë dhe në vitin 2022 u rrit në 42.2 mijë lekë.

Numri i punonjësve gjithsesi ra, nga 1,025 në vitin 2021 në 911 në vitin 2022.

Ndonëse të punësuarit u reduktuan, shpenzimet e personelit u rritën me 6%, sipas të dhënave nga bilanci.

Si “Fital” ashtu dhe “Albaco Shoes” janë larg vitit më të mirë të tyre, në 2019, kur qarkullimi vjetor ishte 2.4-2.5 miliardë lekë. Si rrjedhojë e rënies së xhiros së tyre dhe rritjes së sipërmarrjeve të tjera, ato kanë dalë për herë të parë nga renditja e “Monitor 200”, sipas të ardhurave.

Në vitin 2022, eksportet e veshjeve të këmbëve u rritën me 29%, duke tejkaluar nivelet e para pandemisë, si rrjedhojë e rimëkëmbjes së kërkesës nga partnerët europianë dhe shtrenjtimit të çmimeve.

Kriza ka trokitur sërish në 2023, e ndikuar nga vijimi i nënçmimit të Euros ndaj Lekut me rreth 14% nga fillimi i vitit deri në gusht, shtimi i kostove nga pagat e larta, ndryshimi i kërkesës globale për këpucë për shkak të motit të ngrohtë dhe zhvendosjes së prodhimit të sipërmarrjeve europiane drejt vendeve me kosto më të lira të punës, si India e shtete të tjera të Azisë.

Për 6 muajt e parë të 2023, eksportet e veshjeve të këmbëve u tkurrën me 5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas një fillimi të mirë në janar (+12%), tkurrja më e thellë ishte në prill dhe qershor, përkatësisht me 15 dhe 13%.

Industria e miellit

Industria e përpunimit të miellit u zgjerua për të dytin vit radhazi në 2022, pas rënies në vitin e pandemisë.

Rritja erdhi më së shumti nga shtrenjtimi i çmimeve dhe ndryshimi i kërkesës në pjesën e parë të vitit, si rrjedhojë e situatës kaotike të krijuar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, që zhbalancuan tregun global të drithërave.

Këtë e konfirmon dhe tendenca e importeve të drithërave, të cilat ishin pothuajse në të njëjtin nivel në vlerë, por ranë me 25% në sasi në vitin 2022.

“Shoqëria Anonime Mielli” (Miell Tirana) ka deklaruar rritje të të ardhurave me 28%, në 2.5 miliardë lekë, duke qenë e vetmja nga ky segment, e mbetur në listën e 200 të mëdhave. Kompania e ka vënë vazhdimisht theksin te rënia e konsumit, për shkak të uljes së popullsisë nga emigrimi i të rinjve drejt vendeve perëndimore.

“Bloja”, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para dy vitesh, ka dalë nga renditja e më të mëdhave. Në vitin 2022 ka raportuar rreth 1.8 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje 18.5%.

“Atlas Mills” kishte të ardhura prej 1.95 miliardë lekësh, me rritje prej 49% me bazë vjetore.

Industria automotive rritet, por shtohen dhe problemet

Nëse ka një sektor që ka njohur zhvillim të vrullshëm gjatë viteve të fundit është ai i industrisë mbështetëse automotive, nga të paktët që po tërheq investime e gjeneron punësim.

Ky sektor kryesisht punon me sistemin e materialit të porositësit, nëpërmjet montimit të sistemeve elektrike dhe mori hov pasi shtetet e Europës Lindore, si p.sh. Çekia, kaluan në një fazë më të lartë teknologjie, duke bërë që proceset më të thjeshta të zhvendoseshin në vende që kanë ende kosto të lira të fuqisë punëtore.

Sektori po rritet gradualisht duke shtuar proceset, por dhe ai po përballet me mungesën e fuqisë punëtore, zhvlerësimin e Euros, por edhe paqëndrueshmërinë e mjedisit për të bërë biznes.

Në Shqipëri, prej vitesh, janë vendosur fabrika që përpunojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si “Mercedez Benz”, “KIA”, “Hyundai”, “Peugot”, “Renault”, “Fiat Group” apo të tjera si “Sumitomo Electric Industries”.

Kompanitë aktive që i përkasin industrisë automotive në vend janë “Forschner Albania”, “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”, “Yura Corporation” dhe “SEWS Cabind Albania”, ku secila prodhon për kompani të huaja, duke përshtatur ritmin me kërkesën që përditësohet herë pas here.

Këtyre po u shtohen dhe investime shqiptare, ku “Everest Automotive” është hyrja më e fundit.

Zhvillimi i këtyre fabrikave ka sjellë rritje të shpejtë të eksporteve të grupit të “makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit”. Sipas INSTAT, eksportet e këtij grupi u 3.5-fishuan në krahasim me vitin 2016, kur filloi rritja e vrullshme, duke arritur në gati 39 miliardë lekë në vitin 2022, ndërsa zgjerimi vjetor ishte 37.4%.

Pesha e makinerive e pajisjeve në totalin e eksporteve u rrit në gati 9% në vitin 2022, nga 4.5% në 2016-n.

Industria mbështetëse automotive po “zëvendëson” me shpejtësi sipërmarrjet fason (tekstile e këpucë), duke i konkurruar me paga më të larta dhe duke u kthyer ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend. P.sh., “Yura Corporation Albania” është një nga punëdhënësit privatë më të mëdhenj në vend, sipas të dhënave nga Tatimet, me mbi 1700 të punësuar.

Por, edhe ky sektor nuk po u shpëton problematikave të ekonomisë dhe po ngadalësohet ndjeshëm këtë vit. Për 6-mujorin 2023, grupi është zgjeruar me 10%.

Kompanitë, nga ana e tyre, kanë parë rritje të shpejtë të të ardhurave.

“Yura Corporation Albania” sh.p.k., më e madhja në industrinë mbështetëse të automjeteve, me kapital koreanojugor, pasi katërfishoi të ardhurat në 2021-shin, viti i dytë i plotë i aktivitetit, vijoi zgjerimin e shpejtë edhe në vitin 2022, duke rritur qarkullimin vjetor me 30%, në 5.4 miliardë lekë.

Por, kompania po përballet me mjedisin e paqëndrueshëm në Shqipëri, sidomos atë fiskal.

Në raportin e aktivitetit theksohet se “sistemi tatimor në Shqipëri është relativisht i ri dhe karakterizohet nga ndryshime të shpeshta në legjislacion, deklarime zyrtare dhe vendime gjyqësore, të cilat shpesh janë të paqarta, kontradiktore dhe subjekt i interpretimeve të ndryshueshme nga autoritete të ndryshme tatimore.

Tatimet dhe taksat janë subjekt i rishikimit dhe kontrollit nga një numër autoritetesh, të cilat kanë autoritetin të vendosin detyrime, gjoba dhe interesa të larta.

Të dhënat e një viti fiskal mbeten të hapura për rishikim nga autoritetet tatimore gjatë pesë viteve të ardhshme kalendarike; megjithatë në disa rrethana, një vit fiskal mund të mbetet i hapur për një kohë më të gjatë.

Ngjarjet e fundit në Shqipëri tregojnë që autoritetet tatimore po marrin një pozicion më të sigurt dhe kategorik në interpretimet e tyre dhe në zbatimin e legjislacionit tatimor. Këto rrethana mund të krijojnë një rrezik tatimor në Shqipëri që është shumë më i madh sesa në vende të tjera”.

Në 31 dhjetor, në bilanc, kompania ka deklaruar 1752 të punësuar.

“SEWS Cabind Albania”, pjesë e grupit “SEWS Cabind S.p.A”, me seli qendrore në Collegno, Torino, Itali hyri në Shqipëri në vitin 2019. Në vitin 2021, në vitin e parë të plotë të aktivitetit, të ardhurat ishin rreth 1 miliard lekë.

Në vitin 2022, qarkullimi vjetor u trefishua, në gati 3 miliardë lekë, duke hyrë për herë të parë në renditjen e “Monitor 200”. Planet e kompanisë për zgjerimin duken ambicioze.

“Gjatë vitit 2021, për të zgjeruar kapacitetin e saj prodhues, Shoqëria vendosi të ndërtojë fabrikën e dytë. Për këtë qëllim, edhe gjatë vitit 2022, Shoqëria ka vazhduar me procesin e instalimit të makinerive dhe linjave të prodhimit për fabrikën e dytë.

Gjatë vitit 2022, Shoqëria ka operuar me një kapacitet prodhimi prej 50% dhe ka pasur progres në shitjet kundrejt klientëve të saj kryesorë”, thuhet në raportin e aktivitetit.

Raporti shton se në të ardhmen e afërt, Shoqëria synon të përfundojë të gjitha aktivitetet në lidhje me fabrikën e tretë dhe do të përqendrohet në zhvillimin e kapacitetit të saj prodhues”.

Mario Scarfalloto, menaxher i “SEWS Cabind Albania” ka pohuar për “Monitor” se kërkesa në tregun e industrisë automotive vijon të mbetet e paqëndrueshme, me planifikime që ndryshojnë shpesh, të cilat i kanë detyruar fabrikat të përshtaten me këto ritme.

“Industria automotive po jeton një periudhë veçanërisht jo të lehtë. Mund të them se erdhi si rezultat i situatës së krijuar në pandemi, që siç e dimë solli mungesë të theksuar në lëndët e para, ndalimin e linjave të prodhimit industrial për sektorin e automobilave dhe një ngadalësim të përgjithshëm të të gjitha bizneseve.

Rifillimi ishte kërkues për të gjithë, sepse tregu rinisi me ritme shumë të larta dhe jo të gjithë sektorët ia dolën mbanë ta kapnin atë.

Kjo është arsyeja që ende sot, prodhuesit e makinave dhe industritë e lidhura me to, kanë kërkesa të paqëndrueshme dhe janë të detyruar të ndalojnë e të rinisin punën vazhdimisht.

‘SEWS CA’, por le të themi edhe të gjitha kompanitë e tjera, duhet të ndjekin tendencën e klientëve të tyre”.

Ai shton se një tjetër sfidë e madhe për të njëjtat rrethana ishte mbajtja e forcës punëtore aktuale dhe gjetja e të rinjve.

Shoqëria më 31 dhjetor 2022 ka deklaruar 1285 punëmarrës.

“Everest Automotive”, që prodhon pjesë për automjete, është një hyrje e re në listën e “Monitor 200”, sipas të ardhurave, me një qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë lekësh, në vitin e parë të aktivitetit.

E krijuar në vitin 2021, shoqëria ka kapital shqiptar, me të njëjtët aksionerë të “Everest”, më e madhja në vend në prodhimin e profileve të aluminit. “Everest Automotive” është licencuar në aktivitetin e “Projektim, zhvillim, prodhim, tregtim dhe shitje të automjeteve dhe pjesëve përbërëse apo të veçanta për mjetet motorike dhe të tjerë mjete të lëvizshme të industrisë Automotive”.

Sipas raportit të aktivitetit “gjatë vitit 2022 shoqëria është angazhuar kryesisht në realizimin e disa kontratave për tregtim me shumicë e me pakicë të produkteve të automotives me klientët kryesorë, ‘International Manufacturing & Assembly’ (IMA), që merret me montim kabllosh; ‘Lochmann Kabinen’, Itali, e cila prodhon kabina makinash, e të tjerë”.

“PSZ Albania”, shoqëri në fushën e fasonerisë për montimin, riparimin, bashkimin e kabllove dhe paketave elektronike me kapital gjerman, ndonëse është nga të parat që është hapur në këtë segment, nuk është treguar agresive në zgjerim.

Kompania raportoi të ardhura prej rreth 528 milionë lekësh, me zgjerim 17.7% me bazë vjetore. Shoqëria ka pasur të punësuar 449 persona në fund të vitit 2022 dhe 465 persona në fund të vitit 2021.

“Delmon Group Albania”, pjesë e grupit francez me të njëjtin emër, e krijuar në 2017-n, me aktivitet në prodhimin dhe përpunimin e materialeve të gomës dhe plastikës në pjesët e prodhuara, dhe aplikimet industriale të lidhura me to (fasoneri), ka raportuar të ardhura prej 296 milionë lekësh, me një zgjerim prej 66% me bazë vjetore. Kompania kishte 139 punonjës në vitin 2022, nga 101 në vitin 2021./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco