Erdhën shumë turistë, por pak para

Erdhën shumë turistë, por pak para

23:15, 29/09/2023
A+ Aa A-

Raporti i Institutit të Statistikave mbi ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, sugjeron se rritja e turizmit nuk mjaftoi për të kompensuar rënien e bujqësisë dhe industrisë, ndërsa ndërtimi dhe pronat e patundshme vijuan të jenë degët kryesore me rritje.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri u rrit me 3.23% në terma realë, në tremujorin e dytë të këtij viti ndërsa deklaratat e qeverisë për bum turistik me rritje mbi 50% në numrin e turistëve apo në numrin e netëqëndrimeve duket se nuk përputhet me rritjen ekonomike reale as të turizmit dhe as të ekonomisë në tërësi. Rritja ekonomike prej 3.23% në tremujorin e dytë 2023 pason rritjen 2.72% në tremujorin e parë. Të dyja shifrat janë më të larta se sa parashikimi për rritjen ekonomike vjetore të Shqipërisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por ndjeshëm më të ulëta se sa potenciali i zhvillimit. Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare pritet të rritet këtë vit me 2.25% ndërsa potenciali i rritjes së Shqipërisë vlerësohet në 4.5%. Ekonomia shqiptare është rritur nën potencial tashmë prej më shumë se një dekade. Korrupsioni, keqqeverisja dhe mungesa e atyre që në gjuhën e FMN-së njihen si “reforma strukturore” besohet se janë shkaku i rritjes më të paktë se sa potenciali zhvillimor. Potenciali i rritjes llogaritet duke marrë parasysh faktorë të shumtë, përfshirë nivelin e ulët ekonomik, burimet natyrore, fuqinë punëtore të disponueshme e të tjera.

Ekonomia e betonit

Dega “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera”, ku përfshihen shërbimet turistike, u rrit me 12% në tremujorin e dytë, pasi ishte rritur me 32% në tremujorin e parë. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ishte 33% më i lartë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë ndërsa numri i netëve turistike të kaluara nga shtetas të huaj gjatë kësaj periudhe ishte me rritje 51%.

Ndonëse rritja në sektorin e turizmit është e lartë, efekti i tij në ekonominë e përgjithshme të vendit është i papërfillshëm. Sipas INSTAT, rritja e sektorit “Arte, argëtim dhe çlodhje” me 12% ka kontribuuar në tremujorin e dytë me vetëm 0.26% të rritjes totale prej 3.23%. Në fakt, sektorët që kanë ndikuar më shumë janë Ndërtimi dhe Aktivitete të pasurisë së patundëshme. Sipas llogaritjeve të INSTAT, nga rritja ekonomike prej 3.23%, këto dy sektorë kanë sjellë 2.15%. Më një fjalë, 66% e të gjithë rritjes ekonomike të vendit është shkaktuar nga ekonomia e betonit, ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm për mirëqenien reale të popullsisë, të tilla si bujqësia dhe manifaktura, janë në fakt në rënie.

Sektori i bujqësisë pësoi një rënie të vogël në krahasim me një vit më parë. Ekonomia e këtij sektori  ku punësohen zyrtarisht 40% e forcës së punës, ra me 0.04% në krahasim me një vit më parë. Sektori tjetër i goditur është manifaktura, e cila punëson dhjetëramijëra qytetarë dhe që në tremujorin e dytë pati rënie me 6% në krahasim me një vit më parë. Manifaktura duket se është goditur në veçanti nga forcimi i lekut përballë euros, gjë që gjerësisht besohet se është pasojë e parave me origjinë të dyshimtë të investuara në ndërtim dhe prona të patundshme./reporter.al

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco