Kultivimi i grurit, nga këshillat e Hrushovit tek indiferenca e sotme ndaj fermerëve

Kultivimi i grurit, nga këshillat e Hrushovit tek indiferenca e sotme ndaj fermerëve

21:28, 27/08/2023
A+ Aa A-

Vizita në Shqipëri e udhëheqësit të ish-Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në vitin 1959 mbahet mend edhe për tregimet e lidhura me komentet e tij për kultivimin e grurit.

Hrushov iu tha udhëheqësve shqiptarë se “aq grurë sa prodhonte Shqipëria, e hanin minjtë në hambarët e Bashkimit Sovjetik”.

Ai shtoi se Shqipëria nuk duhej të sforcohej dhe të shpenzonte aq shumë burime për prodhimin e grurit, ndërkohë që çmimi i tij në tregjet e huaja ishte i lirë, duke u sugjeruar homologëve shqiptarë që në vend të grurit “të mbillnin fruta dhe agrume”.

Këshillat e tij më vonë do të interpretoheshin nga homologët shqiptarë me dogmatizmin dhe paranojën e zakonshme të kohës, si një përpjekje djallëzore për ta mbajtur Shqipërinë të varur dhe të skllavëruar.

Pavarësisht qëllimeve dhe interpretimeve, komentet e Hrushovit kishin një logjikë ekonomike. Kultivimi masiv i grurit në epokën komuniste ishte i lidhur me izolimin e jashtëm dhe prodhimi i bukës në vend nënkuptonte mundësinë për të qenë politikisht dhe ideologjikisht të pavarur.

Gruri është një kulturë bujqësore ku leverdia është veçanërisht e lidhur me ekonomitë e shkallës.

Kultivimi i sipërfaqeve të mëdha me grurë sjell ulje të kostove për njësi të lidhur me koston e punës, me mekanikën bujqësore, plehrat kimikë, etj. Jo rastësisht prodhuesit më të mëdhenj globalë të drithërave janë ato vende me sipërfaqe të mëdha fushore në dispozicion për mbjellje.

Për shkak të sipërfaqes së vogël dhe terrenit kryesisht kodrinor malor, Shqipëria nuk e ka këtë avantazh.

Nuk e kishte në kohën e komunizmit dhe nuk e ka akoma më shumë sot, kur copëzimi dhe parcelizimi i bujqësisë përbën një faktor të rëndësishëm që kufizon konkurrueshmërinë, sidomos për ato kultura ku ekonomitë e shkallës janë veçanërisht të rëndësishme.

Në këtë kuptim, nuk është për tu çuditur që në dekadat pas komunizmit prodhimi bujqësor u orientua më shumë drejt kultivimit të perimeve dhe pemëve frutore.

Prodhimi i grurit ka qenë kryesisht i destinuar për nevojat e konsumit familjar të fermerëve, ndërsa përdorimi i prodhimit vendas në zinxhirin e përpunimit industrial ka qenë në nivele të papërfillshme. Për vitin 2021, Shqipëria importoi 41.2% të drithërave nga Rusia, 32% nga Serbia dhe 4% nga Franca.

Por, sulmi i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022 solli një tronditje të tregjeve të drithërave dhe rritje të çmimeve të tyre, duke qenë se dy vendet e përfshira në konflikt janë prodhues të mëdhenj globalë.

Disa vende madje pezulluan edhe eksportet e grurit, duke krijuar shqetësim se vendet e varura nga importet nuk do të arrinin të plotësonin nevojat e tyre. Kjo u bë shtysë që edhe Shqipëria të rikthente vëmendjen nga prodhimi i grurit dhe të niste një program suvbvencionimi të mbjelljes së tij.

Ndërkohë, gjeografia e importeve ndryshoi, duke iu përshtatur me shpejtësi kushteve të reja të tregut. Për 7 mujorin 2023, rreth 37% e grurit u importua nga Serbia, 17% nga Rusia dhe 14.5% nga Ukraina, sipas INSTAT.

Megjithatë, gjendja e tregjeve të drithërave u qetësua brenda disa muajve, sidomos pas arritjes së marrëveshjes për eksportin e grurit nga Ukraina. Çmimet filluan rënien.

Këtë vit, kur erdhi koha për korrjen e prodhimit, çmimet e grurit pësuan rënie të ndjeshme. Kjo bëri që çmimet e ofruara nga fabrikat e përpunimit të grurit për prodhimin vendas të ishin të ulëta dhe shitja me këto çmime do të rezultonte me humbje për fermerët.

Sipas disa fermerëve, ndihma shtetërore me subvencione direkte për mbjelljen dhe naftën mbuloi vetëm një pjesë shumë të vogël të shpenzimeve, rreth 3% të tyre. Kjo ka bërë që prodhimi të ngelet stok dhe fermerët nuk kanë ende një zgjidhje.

Situata me grurin duhet të shërbejë për të nxjerrë disa konkluzione rreth politikave të nxitjes së prodhimit bujqësor. Gruri vështirë se ka qenë ndonjëherë një kulturë shumë e leverdishme për kushtet e Shqipërisë, aq më pak në një periudhë kur edhe çmimi i inputeve bujqësore është rritur ndjeshëm.

Kur qeveria i nxit fermerët të mbjellin një kulturë që tipikisht nuk është e leverdishme, në emër të sigurisë ushqimore, atëherë duhet të marrë përsipër rrezikun e luhatjes së çmimeve dhe ta blejë vetë grurin, për rezervat e vendit.

Praktika e krijimit të rezervave të produkteve jetikë nga shteti nuk është e pazakontë.

Një praktikë të ngjashme kanë ndjekur vende fqinje të rajonit, që kanë përcaktuar mekanizmin e grumbullimit të prodhimit të grurit nga shteti, në rastet kur çmimi i produktit nuk mundëson minimalisht mbulimin e shpenzimeve të fermerëve.

Nëse qeveria shqiptare nuk merr përsipër të sigurojë një mbrojtje të tillë për fermerët, të paktën politikat bujqësore nuk duhet të udhëhiqen nga reagime emocionale dhe paniku që shkaktojnë zhvillimet kalimtare në tregjet botërore.

Shtysa të tilla, për më tepër me subvencione të pamjaftueshme, po rezultojnë me dëm të konsiderueshëm ekonomik për fermerët dhe shtojnë akoma më shumë problemet e një sektori që ka vështirësi të mëdha, për shkak të parcelizimit, problemeve me titujt e pronësisë, aksesit të dobët në burimet e financimit dhe mungesës gjithnjë e më të madhe të fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit dhe tkurrjes së popullsisë.

Gjithsesi, kjo situatë e krijuar nuk duhet të habisë askënd, pasi nuk është hera e parë që fermerët përballen me struktura shtetërore, që përherë e më tepër po e vërtetojnë që bujqësia nuk është prioritet kombëtar, të paktën ajo konvencionale; përkundrazi politikat dëmtuese që vijnë ose nga nisma emocionale dhe të pakoordinuara, ose nga paaftësia për ta mbrojtur dhe zhvilluar këtë sektor, thjesht po e mbajnë në prapambetje. / EDITORIAL-MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco