Prodhimi bujqësor drejt hyrjes në një krizë të thellë

Prodhimi bujqësor drejt hyrjes në një krizë të thellë

22:56, 26/08/2023
A+ Aa A-

Prodhimi bujqësor po hyn në një cikël krize që po krijohet nga mungesa e fuqisë punëtore në fshat, kostot e larta të inputeve, teksa eksportuesit po falimentojnë nga rënia e vlerës së Euros. Fermerët rritën të ardhurat në këtë sezon nga çmimet më të larta që ofron tregu i huaj dhe ai i vendit në kushtet e mungesës së prodhimit. Mbështetja për zhvillimin rural ishte vetëm 3,5 milionë euro në janar-prill 2023. Ndërkohë, BE njoftoi pezullimin e fondeve nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit. Fermerët po vuajnë nga abuzimet e çmimeve të inputeve dhe rreziqet klimatike dhe po shfrytëzojnë vetëm avantazhin gjeografik që siguron prodhim me dy-tre sezone në Fier, Lushnjë dhe Berat

Fermerët po shesin me çmime më të larta këtë vit prodhimet nga serrat dhe fushat. Pranvera e lagësht dhe me shira ka dëmtuar rëndë prodhimin në rajon, i cili ka rritur kërkesën për prodhimet shqiptare, e për rrjedhojë, edhe çmimet.

Fermerët lajmërojnë se çmimet e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale do të mbeten të larta për arsye të mungesës së fuqisë punëtore në fshat, që po redukton sipërfaqet e mbjella dhe po ndikon te prodhimi, teksa kërkesa është në rritje.

Në fillim, lufta në Ukrainë dhe tani ndikimet klimatike kanë qenë në favor të sezonit për bujqit shqiptarë, por kjo ecuri pozitive nuk mund të jetë një trend gjithëvjetor, pasi këtë vit prodhuesit e frutave sidomos vreshtat dhe mollët janë dëmtuar masivisht nga pranvera e lagësht.

Eksportuesit pohuan se janë në prag të papërballueshmërisë së aktivitetit, për shkak të rënies së euros. “Rënia e shpejtë e Euros në kulmin e sezonit të eksporteve bujqësore po na çon në faliment”, – tha Laurat Mulliqi nga Shoqata e Eksportuesve të Prodhimeve Bujqësore dhe njëkohësisht administrator i një prej kompanive më të mëdha të eksportit “Tomato Al”.

Nga ana tjetër, problematikat e përhershme me kostot e larta të inputeve, mungesën e subvencioneve dhe së fundmi me pezullimin e financimeve nga programi i IPARD në BE po mbajnë sektorin më të madh të ekonomisë në vend nën thundrën e primitivizmit dhe larg standardeve të kohës.

Çmimet e shitjes me shumicë për domaten, kastravecin, bostanin, qepën dhe pataten janë dyfishi i vitit të kaluar. Kjo erdhi nga rritja e kërkesës nga jashtë dhe nga brenda prej numrit më të lartë të turistëve në një kohë që prodhimi nuk ka rritje të dukshme.

Sipas të dhënave të INSTAT, në 6-mujorin e parë të vitit, eksportet bujqësore në vlerë ishin 21% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, por rritja në sasi ishte vetëm 4.7%.

Kjo ecuri tregon se rritja u udhëhoq më shumë nga çmimet se sa prodhimi. (shiko grafikët për ecurinë e eksporteve në vlerë dhe sasi).

Ilir Pilku, ekspert i bujqësisë tha se, politikat bujqësore në Shqipëri duhet të rishikohen për një vlerësim më të qartë në lidhje me përshtatshmërinë e kushteve klimatike, përbërjes së tokës bujqësore, agroteknikës së kërkuar nga njëra anë dhe trendit botëror të tregtisë, pra e lidhur me kërkesën për produkte në një periudhë afatmesme-afatgjatë.

Sipas tij, aktivitetet bujqësore me kthim më të lartë të investimit janë prodhimet perimore në serra, kryesisht domate, kastravec, spec dhe luleshtrydhe, perimet e fushës që përfshijnë grupin e lakrës, lulelakrës, karotës dhe bostanit, i ndjekur nga agrumishtet që përfaqësohen nga mandarina./Revista Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco