Taksa e re e pronave nga 1 janari 2026, sa do të paguajmë?

Taksa e re e pronave nga 1 janari 2026, sa do të paguajmë?

08:05, 26/08/2023
A+ Aa A-

Nga 1 janari 2026 do të dyfishohen detyrimet e taksës së ndërtesës për shtëpitë e dyta. Ministria e Financave pohon se me draftin e ri detyrimet për pronarët e shtëpive të parë do të ulen, pasi formula e re do të zbresë gjysmën e vlerës së taksueshme, sipas modelit të vendeve të rajonit.

Por për drejtuesit e Institutit të Bashkive, nga 2026 familjet dhe bizneset do të paguajnë më tepër taksë, pasi detyrimi do të llogaritet mbi një vlerë prone të rritur.
Aplikimin e zbritjes ekspertët e konsiderojnë “kurth” për të mos trembur taksapaguesit. Por shtimi i detyrimeve nis që këtë vit me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës. Pronarët e apartamenteve do të paguajnë deri 74% më tepër dhe bizneset deri në 91%.

Dorina Azo

Pronarët e apartamenteve, dyqaneve, garazheve, bodrumeve, fabrikave nga ky vit do të nisin të paguajnë më tepër për taksën e ndërtesës. Detyrimet do të shtohen nga shtrenjtimi i çmimeve të referencës së apartamenteve mbi të cilat llogaritet vlera e taksës.

Por pagesat për taksën e ndërtesës do të vijojnë të shtohen sërish edhe nga 1 janari 2026, për familjet dhe biznesin sipas ekspertëve të pushtetit vendor, pasi do të rritet vlera e pronës mbi të cilat llogaritet taksa dhe niveli i taksimit.

Por me ndryshimet e reja ligjore ata që do të paguajnë më shumë sipas burimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë pronarët që kanë një shtëpi të dytë, pasi për çdo familje që zotëron vetëm një shtëpi drafti parashikon zbritje 50% të vlerës së pronës, por jo më shumë se pragu maksimal i përcaktuar sipas kategorive të bashkive.

Për Tiranën pragu i pataksueshëm i vlerës së shtëpisë do të jetë deri në 4,5 milionë lekë. Zbritja e patatueshme nuk do të zbatohet të shtëpitë e dyta të cilat do të ngarkohen me dyfishin e detyrimeve.

Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i publikuar te konsultimet publike nga Ministria e Financave dhe ekonomisë rrit nivelin e taksës, por ndryshon edhe metodologjinë për llogaritjen e çmimeve mesatare, ku synohet t’u afrohen vlerës së tregut.

Drafti propozon që niveli i taksës për ndërtesat e kategorisë rezidenciale të variojë nga 0,1% deri në 0,2% nga 0,05% që është aktualisht, për ndërtesat tregtare nga 0,15 deri në 0,25% nga 0,2% që është dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale niveli i taksës varion nga 0,15 deri 0,25%.

Drafti i ri parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026 për ndërtesat dhe kategoritë, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028.

Referuar draftit të ri neni 8, përcakton një zbritje nga vlera e banesës së parë të të gjithë individëve, në një shumë të barabartë me 50% të vlerës së banesës së parë, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes i përcaktuar për 4 kategori të bashkive. Në Tiranë pragu maksimal i zbritshëm do të jetë 4,5 milionë lekë.

Për bashkitë si: Berat, Bulqizë, Dibër, Divjakë, Durrës, Elbasan, Fier, Gramsh, Gjirokastër, Himarë, Kamëz, Kavajë, Korçë Krujë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Librazhd, Lushnjë, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Përrenjas, Pogradec, Rrogozhinë, Sarandë, Shijak, Shkodër, Vlorë, Vorë do të jetë 3 milionë lekë.

Belsh Cërrik Delvinë Devoll Dimal Dropull, Finiq, Has, Këlcyrë, Klos, Kolonjë, Konispol, Kuçovë, Libohovë, Maliq, Mallakastër, Patos, Peqin, Përmet, Poliçan, Pukë, Pustec, Roskovec, Selenicë, Skrapar, Tepelenë Tropojë dhe Vau i Dejës pragu i pataksueshëm i vlerës së shtëpisë do të jetë 1,5 milionë lekë. Pragu maksimal për bashkitë, Fushë Arrëz dhe Memaliaj do të jetë 750 mijë lekë.

Formulën e re të llogaritjes së vlerës së taksës së apartamenteve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e mbështet edhe nëpërmjet një shembulli që shpërndau për grupet e konsultimit.

Shembulli llogarit barrën fiskale për një pronar apartamenti me sipërfaqe 70 m2, ku çmimi mesatar i zonës ku ndodhet vlerësohet të jetë 1,250 euro për metër katror.

Vlera e shtëpisë është 87,500 euro. Formula e re parashikon që vlera e patatueshme për Tiranë të jetë 4,5 milionë lekë. Në këtë rast në vlerë zbritja është 40,178 euro (e llogaritur me kursin e këmbimit 112 lekë). Ndërsa vlera e tatueshme e shtëpisë është 44,872 euro. Dyshemeja e takës do të jetë 0,1% dhe taksa për t’u paguar 44,8 euro në vit.

Taksa për të paguar në Bashkinë e Tiranës (44,8 euro) sipas Ministrisë së Financave është e barabartë me 36 litra naftë apo një drekë familjare. “Më pak se sa duhet të paguajë taksa një pronar makine për një makinë mesatare në Shqipëri. Do të përbëjë rreth 1% të pagës minimale vjetore neto dhe shumë më pak se 1% të pagës mesatare vjetore neto”, sipas shembullit që sjell Ministria e Financave.

Ndërsa me nivelin e ri të taksë prej 0,1% një familje që zotëron një shtëpi të dytë, duke llogaritur vlerën e shtëpisë me çmimin fiskal 1,250 euro për metër katror (vlerë që merr Financa për shembull) do të paguajë në vit 87,5 euro apo 9,187 lekë në vit.

Me nivelin aktual të taksës 0,05% për një apartament me sipërfaqe 70 m2 e llogaritur me çmimin fiskal prej 1,250 euro për metër katror do të paguante 4,593 lekë në vit. Detyrimi për t’u paguar pas 1 janarit 2026 do të jetë dyfish më i lartë.

Agron Haxhimali drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë e cilëson zbritjen e vlerës së pataksueshme si “kurth” për të mos trembur taksapaguesit. “Zbritje sipas kategorizime dhe vlerave nuk më thonë asgjë, sepse mendoj se janë “kurthe” për të mos “trembur” taksapaguesit.

Nga ana tjetër krijojnë ndërlikime të kota administrative, prishin thjeshtësinë në zbatim. Ligjet hartohen sa më të thjeshta dhe të kuptueshme për qytetarët së pari dhe institucionet zbatuese.

Pra këto zbritje nuk e zhbëjnë as vullnetin politik për të shkuar në taksimin me vlerë të pronës dhe kurrsesi nuk çojnë në pagesa më të ulëta as për një kategori taksapaguesish dhe kategori pronash”.

Z. Haxhimali pohoi për Monitor se nga 2026 për taksën e ndërtesës do të vijojnë të paguajnë më tepër si familjarët dhe bizneset pasi taksa do të llogaritet mbi një vlerë prone të rritur.

“Së pari është pozitive që konsultime të tilla, që kanë ndikime te qytetarët dhe bizneset, hidhen për konsultim publik në kohë të mjaftueshme para miratimit dhe hyrjes në fuqi për zbatim.

Së dyti, lidhur me përmbajtjen e draftit, dua të them se prezanton më shumë paqartësi qoftë në frymë qoftë në germë dhe elementë të tjerë që lidhen me teknikën e hartimit të projektligjeve dhe ligjeve. Por këto kanë kohë për t’u korrigjuar.

Marrë në konsideratë sa më sipër projektligji nuk sjell asgjë më shumë sesa një testim të opinionit publik dhe rrymave politike mbi pranueshmërinë e këtyre ndryshimeve. Por nga ana tjetër e marr të mirëqenë që ky projektligj do të kalojë, pavarësisht “manovrave” për zbritje të vlerave të banesave.

Për çdo kategori, si qytetar dhe bizneset do të paguajnë më shumë dhe kjo është e natyrshme sa kohë që vlera e pronave konsiderohet e rritur. Gjithashtu qëndron edhe vullneti politik i maxhorancës për të rritur taksën dhe buxhetet bashkiake pritet të arkëtojnë me “shumë” para. Drafti i ri është instrumenti për të përmbushur qëllimin e qeverisë”, thekson Haxhimali./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco