Qeveria shkrin kontigjencën/ Fatura e rritjes së pagave, 80 milionë euro

Qeveria shkrin kontigjencën/ Fatura e rritjes së pagave, 80 milionë euro

09:43, 29/05/2023
A+ Aa A-

Qeveria do të përdorë Fondin e Kontigjencës për të financuar rritjen e pagave të administratës gjatë këtij viti. Edhe pse Departamenti i Administratës Publike është ende duke përgatitur skenarët e rritjes së pagave sipas sektorëve, përllogaritjet paraprakje tregojnë se fatura e përgjithshme pritet të jetë 9 miliardë lekë ose 80 milionë euro.

Në buxhetin e vitit 2023, qeveria ka programuar 12 miliardë lekë si Fond Kontigjencë. Nga këto 3.5 miliardë lekë u përdorën për të financuar bonusin e pensionistëve duke mbetur 8.5 miliardë lekë ende të pashpenzuara. Por veç kontigjencës, qeveria ka parashikuar në buxhet edhe 2.5 miliardë lekë të tjera si fond për politika të reja pagash. Këto dy zëra do të financojnë rritjen e pagave të këtij viti, për nëpunësit e sektorit publik.

Paqartësi shifrash

Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi paketën e ligjeve të reja për pagat në sektorin shtetëror. Për funksionarët e lartë të shtetit, rrogat u rritën ndjeshëm deri në dyfish. Më parë, gjatë muajit të kaluar, qeveria kishte miratuar rritjen e pagave për mësuesit, mjekët dhe disa kategori të tjera të shërbimit publik, në masën nga 7 deri në 10 për qind.

Kryeministri Edi Rama është zotuar se deri vitin tjetër paga mesatare në shtet do të shkojë në 900 euro, çka kërkon një rritje prej rreth 40 për qind të pagave në të gjithë spektrin e sektorit publik. Qeveria ende nuk ka dhënë detaje se si do të fazohet rritja e pagave dhe madje nuk ka bërë publike as faturën buxhetore të këtij viti dhe financimin e saj. Por burime nga DAP dhe ministria e financave, thonë se për këtë vit fatura e rritjes së pagave pritet të luhatet nga 9 deri në 10 miliardë lekë.

Në buxetin e këtij viti, qeveria ka parashikuar 80 miliardë lekë në total si fond pagash për administratën publike. Shtesa prej 9 miliardë lekësh nënkupton rritjen e pagave mesatarisht me 11-12 për qind në sektorin publik. Por meqënëse ajo nis nga prilli, atëherë ky fond përcakton një rritje të pagave në sektorin publik mesatarisht me 15 për qind.

Gjithsesi edhe kjo rritje mbetet sërish larg premtimit të qeverisë për rritjen e pagave me 40 për qind brenda prillit të vitit tjetër. Që do të thotë se qeverisë do t’i duhet të programojë edhe 30 miliardë lekë të tjera shtesë deri në vitin e ardhshëm për të financuar premtimin e saj për rritje pagash./OLIGARKIA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco