Koncesioni i shtrenjtë i pullave fiskale: Biznesi shqiptar paguan 60 mln euro më shumë se rajoni Foto ilustrim

Koncesioni i shtrenjtë i pullave fiskale: Biznesi shqiptar paguan 60 mln euro më shumë se rajoni

07:31, 09/10/2022
A+ Aa A-

Për shkak të çmimit 10 herë më të lartë se rajoni dhe vendet e BE-së, sipërmarrësit e akcizës në 9 vjet janë rënduar nga fatura shtesë prej 60 milionë eurosh. Kompanitë e mallrave të akcizës kërkojnë njehsimin e çmimit të pullës në nivelet e vendeve të rajonit, pasi do të rrisë konsumin dhe të ardhurat e buxhetit. Përveç çmimit të lartë të pullës fiskale, për këtë koncesion vijojnë edhe paqartësitë ligjore të përfundimin të afatit. Bizneset më të mëdha e vlerësojnë situatëm anormale dhe paralajmërojnë nisjen e luftës ligjore, shkruan Dorina Azo në Monitor.

Në 9 vjet, bizneset shqiptare të tregtimit të mallrave të akcizës kanë paguar rreth 60 milionë euro më shumë në raport me vendet e rajonit dhe Europës për shkak të tarifës së lartë të koncesionit të pullave fiskale.

Në Europë, çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD, ndërsa në Shqipëri, 22,4 USD. Pavarësisht kostove të larta të paguara nga sipërmarrja, të ardhurat e buxhetit të shtetit në 9 vjet llogariten të jenë në vlerën e 1,2 mln eurove, ndërsa siç pohojnë bizneset, efektet e luftës së informalitetit dhe tregtisë së paligjshme nuk janë zgjidhur.

Të dhënat financiare dhe ekonomike të kontratës së koncesionit paraqiten në studimin “Koncesioni i pullave fiskale, midis kostove të larta dhe logjikës së munguar ekonomike” të dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, UET, Elvin Meka.

Kostoja shtesë e bizneseve, krahasuar me vendet e BE-së dhe Kosovës në studim është llogaritur nga xhiroja vjetore e kompanisë SICPA Security Solutions Albania deri në vitin 2020, ndërsa të ardhurat për buxhetin nga tarifa e koncesionit prej 2% të të ardhurave neto nga shitja e pullave fiskale që paguan ndaj shtetit koncesionari.

Por Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) ende nuk i ka bërë publike të dhënat ekonomike nga përfitimi i këtij koncesioni, i miratuar në 2012 nga qeveria “Berisha”. Burime nga MFE thanë për “Monitor” se javën e fundit të muajit shtator do të nisë një tjetër grup pune për të analizuar efektet e deritashme financiare dhe ekonomike të koncesionit.

Por ndërkohë vijojnë të mbeten të paqarta afatet e përfundimit të koncesionit. MFE nuk e ka nisur zbatimin e procedurës së mbylljes së koncesionit të pullave fiskale, e parashikuar më 6 gusht 2022, sipas nenit 51 dhe aneksit 22 të kontratës.

Një vit më parë, një grup pune me ekspertë të Ministrisë dhe Avokaturës së Shtetit përcaktuan se data efektive e fillimit të koncesionit ishte 6 shkurt 2013, data e përfundimit 6 shkurt 2023 dhe periudha e daljes së koncesionit 6 gusht 2022. Data efektive e fillimit të koncesionit në gjithë këto vite ka qenë ngërçi ligjor i kësaj kontrate.

MFE s’ka bërë transparencë për bizneset pse nuk kanë nisur procedurat e mbylljes së koncesionit, ndërsa pranon se referuar konkluzioneve të grupit të punës, ende nuk ka kaluar afati i përfundimit të kontratës.

Edhe kompania koncesionare “Sicpa Security Solutions Albania” sh.p.k. konfirmoi për “Monitor” se nuk ka marrë asnjë njoftim nga institucionet shqiptare për periudhën e daljes. Sicpa vijon t’i mbetet qëndrimit për shtyrje edhe me 10 vite të kontratës, pasi nuk është përmbushur një komponent, ai i vendosjes së pullës te barnat.

Bizneset e tregtimit të mallrave të akcizës vijojnë të vuajnë nga kostoja e lartë e tarifave të pullave fiskale. Kompanitë thonë se tarifa që paguajnë prej 10 vitesh për pullën fiskale është një barrë e paarsyeshme.

Sipërmarrësit kërkojnë barazim të tarifës së pullës fiskale me vendet e rajonit, për t’i lehtësuar ata në kosto, për të nxitur rritjen e konsumit dhe të ardhurat e buxhetit. Për rrjedhojë, prodhuesit dhe importuesit më të mëdhenj të mallrave të akcizës paralajmërojnë se, nëse nuk respektohen afatet e koncesionit, do t’i drejtohen rrugës ligjore.

 

Biznesi ka paguar 60 milionë euro shtesë prej koncesionit

Dekani i UET, Elvin Meka, shpjegoi për “Monitor” se kostoja shtesë prej 60 milionë eurosh që kompanitë shqiptare kanë paguar më shumë se vendet e rajonit për pullat fiskale në vite është bazuar te të ardhurat e kompanisë Sicpa dhe tarifat deri 10 herë më të larta se vendet e BE-së. Sipas Mekës, ndërkohë kosto apo “dëmi” fiskal për konsumatorin final është edhe më i madh se kjo shifër, për shkak të efektit kaskadë mbi çmimin final të produktit.

“Nisur nga raportimet zyrtare të koncesionarit gjatë 9 viteve (deri në 2020), pa llogaritur 2021-shin dhe vitin aktual, shoqëria koncesionare ka realizuar një xhiro totale prej rreth 8 miliardë lekësh, ku xhiro mesatare vjetore është luhatur në kufijtë e 900 milionë lekëve.

Shifra prej rreth 60 eurosh e paguar “tepër” nxirret me deduksion, pasi, nëse shoqëria koncesionare do të aplikonte një çmim normal për shitjen e pullave fiskale, nga 7 deri në 10 herë më të ulët, si çmimet e aplikuara rëndom në vendet e rajonit dhe në Europë, shuma financiare e arkëtuar nga biznesi do të luhatej në kufirin e 1-2 miliardë lekëve, çka nënkupton lehtësisht se biznesit shqiptar, importues dhe prodhues të këtyre mallrave të akcizës, i janë marrë rreth 7 miliardë lekë më shumë, ose rreth 60 milionë euro më shumë, gjatë periudhës së koncesionit (të paktën deri në vitin 2020)”, pohon ai.

Studimi vlerëson se Shqipëria ofron koncesionin më të shtrenjtë për pullat fiskale, madje ngarkon me kosto pulle fiskale edhe produkte që normalisht nuk trajtohen si të tilla në gjithë vendet e BE-së dhe rajonit (birra), duke ngarkuar me kosto të tepërta dhe të panevojshme konsumatorin dhe prodhuesit shqiptar, duke rënduar pa arsye buxhetet familjare.

Shoqëria koncesionare përdor një metodë të prapambetur printimi të pullave fiskale për birrën, duke rritur kostot dhe shpenzimet e prodhimit dhe importit, e duke rënduar më tej konsumatorin final.

“Prodhuesit vendas, në përputhje me zbatimin korrekt të shërbimit të shoqërisë koncesionare, janë të detyruar të ndjekin një procedurë tejet komplekse, për blerjen dhe vendosjen e pullave fiskale në mallrat që i nënshtrohen regjimit të akcizës, si cigare, birrë, verëra dhe pije të tjera alkoolike. Për më tepër, edhe për importuesit e mallrave të akcizës, procedura e dërgimit të pullave fiskale te prodhuesit e mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës, jashtë Shqipërisë, sjellin disa kosto ekstra.

Kjo pasi përtej faktit se, për pullat fiskale, importuesit shqiptarë janë të detyruar të depozitojnë garancitë bankare përkatëse, sërish dërgimi i tyre te prodhuesit (jashtë Shqipërisë) duhet të bëhet nga shoqëri transporti ndërkombëtare, e kjo rrit edhe më tej kostot përkatëse të biznesit.

Në jo pak raste, importuesit (p.sh. të birrës por jo vetëm), dërgojnë te prodhuesit thuajse çdo javë pullat fiskale, duke akumuluar kosto gjithnjë e më të larta”, theksohet në dokument.

Po ashtu, edhe konsumatori final rëndohet, nënvizon studimi jo vetëm me koston financiare të shoqërisë koncesionare, por dhe me koston e investimeve të prodhuesve, pasi transferimi i çmimit nuk ndodh sipas parimit dollar-për-dollar (lek-për-lek), por sipas parimit të kaskadës, ku proceset sekuenciale shtojnë kostot përfundimtare më shumë sesa shuma aritmetike e tyre pas çdo hallke apo proces./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco