Një 28-vjeçar meksikan ka humbur jetën në Florida pasi, teksa po përpiqej të largohej nga një pikë kontrolli e agjentëve të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE), u përplas nga një kamion që po kalonte në rrugë.
Ky është incidenti i tretë fatal që përfshin agjentë të ICE-së brenda një jave, duke shtuar debatet në SHBA për mënyrën e zhvillimit të operacioneve të emigracionit. Ngjarja ndodhi në zonën e St. Augustine, në Florida. Sipas autoriteteve, 28-vjeçari ndodhej në një automjet së bashku me tre persona të tjerë, i cili ishte parkuar pranë një pike karburanti rreth orës 07:00 të mëngjesit. Kur agjentët e ICE mbërritën në vendngjarje, katër personat dolën nga makina dhe u përpoqën të largoheshin në këmbë. Sipas shefit të Patrullës së Autostradave të Floridës, Dylan Bryan, gjatë arratisjes 28-vjeçari kaloi një rrugë të ngarkuar dhe u godit nga një kamion që po kalonte.
Drejtuesi i kamionit ndaloi menjëherë dhe tentoi t’i jepte ndihmë të riut, por ai ndërroi jetë nga plagët e marra. Autoritetet amerikane nuk kanë bërë ende të ditur arsyen pse katër personat tentuan të largoheshin nga agjentët e ICE-së. Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së konfirmoi se agjentët e ICE po kryenin një operacion në atë zonë dhe bëri të ditur se Patrulla e Autostradave të Floridës dhe Byroja e Hetimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare po hetojnë ngjarjen.
Përfaqësuesja demokrate e Floridës, Angie Nixon, e cilësoi vdekjen si “tragjike”, duke kritikuar mënyrën e operacioneve të ICE-së. “Qoftë agjentë të ICE-së që qëllojnë një baba në rrugët e Hjustonit, apo vrasja e një të riu në Maine, apo operacionet në Florida që përfundojnë me një aksident fatal, rezultati është i njëjtë: frika, kaosi dhe vdekja”, deklaroi ajo.
Ky është rasti i tretë me pasoja fatale që lidhet me operacionet e ICE-së brenda pak ditësh. Më 8 korrik, një agjent federal i ICE-së qëlloi dhe vrau një shtetas meksikan, Lorenzo Salgado Araujo, gjatë një operacioni në Hjuston të Teksasit. Sipas autoriteteve amerikane, viktima kishte refuzuar urdhrat për të ndaluar dhe dyshohet se kishte tentuar të godiste një agjent me automjetin e tij. Ndërsa më 14 korrik, një agjent i ICE-së vrau një 26-vjeçar kolumbian, Juan Sebastian Guerrero, gjatë një operacioni në Maine. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i riu tentoi të largohej gjatë kontrollit dhe agjenti hapi zjarr duke pretenduar se kishte shqetësime për sigurinë publike. Incidentet kanë nxitur reagime të forta nga organizatat e të drejtave të emigrantëve dhe përfaqësuesit politikë, të cilët kërkojnë hetime të plota mbi përdorimin e forcës gjatë operacioneve të ICE-së.
© SYRI.net