Vala e të nxehtit në Evropë sjell fitime për prodhuesit aziatikë të kondicionerëve, shitjet rriten ndjeshëm

Vala e të nxehtit në Evropë sjell fitime për prodhuesit aziatikë të kondicionerëve, shitjet rriten ndjeshëm

22:53, 28/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndërsa Evropa po kalon temperatura rekord, prodhuesit aziatikë të kondicionerëve, si Samsung dhe LG i Koresë së Jugut, Midea i Kinës apo Mitsubishi i Japonisë, po shënojnë një rritje të ndjeshme të shitjeve.

Kondicionerët janë të zakonshëm në ndërtesa, transport dhe shtëpi në qytetet e mëdha aziatike, ndërsa janë ende relativisht të rrallë në Evropë, shkruan CNN .

Për shkak të kësaj, banorët e kontinentit po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballen me nxehtësinë ekstreme që merr jetë njerëzore, thuhet në tekst, duke shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike dhe duke çuar në mbylljen e shkollave.

Në kërkim të ftohjes, qytetarët dhe kompanitë në të gjithë Evropën po blejnë masivisht kondicionerë portativë dhe të palëvizshëm, ndërsa disa vende po paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të intensifikohet më tej.“Meqenëse temperaturat pritet të vazhdojnë të rriten nga fundi i qershorit, ne besojmë se kërkesa do të mbetet e lartë gjatë sezonit të pikut të ftohjes”, tha Samsung për Reuters.

Ata shtuan se tregjet kryesore, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Francën, panë rritje dyshifrore të shitjeve në gjysmën e parë të vitit.Konkurrenti i tyre LG tha se linjat e prodhimit në njërën nga fabrikat në Korenë e Jugut kanë qenë në funksionim me kapacitet të plotë që nga prilli për t'iu përgjigjur rritjes sezonale të kërkesës në Kore dhe në tregun global.

Situata është e ngjashme edhe në kompaninë kineze Midea, e cila regjistron kërkesë jashtëzakonisht të lartë për kondicionerin e saj portativ PortaSplit . Kompania deklaron se interesi është aq i madh sa pajisjet e përdorura në disa raste arritën një çmim më të lartë se ato të rejat.

Ndryshimet në Evropë

Sipas CNN, shitjet përmes dyqaneve online gjermane u rritën në maj me rreth 37 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa dërgesat në Spanjë dhe Francë u rritën deri në 108 përqind.

Kërkesa e madhe për pajisje ftohëse tregon një ndryshim në zakonet e konsumatorëve evropianë, ndërsa vendet përballen me pasojat gjithnjë e më të theksuara të ndryshimeve klimatike.Megjithatë, sipas këtij medie, instalimi i kondicionerëve në Evropë është shpesh i kushtueshëm dhe i ndërlikuar për shkak të numrit të madh të ndërtesave të vjetra, kështu që kërkohen punime shtesë ndërtimi dhe një pritje e gjatë për instalim.

Sipas të dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) , rreth 20 përqind e familjeve në Evropë kanë kondicionerë .

Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten, vendet e njohura për prodhimin e kondicionerëve si Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut pothuajse me siguri do të përfitojnë nga rritja e kërkesës. Nxehtësia ekstreme është veçanërisht e vështirë për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, të cilët e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë një mënyrë për t'u freskuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco