Franca ka regjistruar 1.000 vdekje gjatë valës përvëluese të të nxehtit që ka përfshirë Europën, njoftoi të dielën agjencia kombëtare e shëndetit publik, duke paralajmëruar se shifra reale ka të ngjarë të jetë edhe më e lartë.
Duke publikuar vlerësimin paraprak të vdekjeve shtesë, Santé Publique France tha se shumica e viktimave ishin persona të moshuar dhe se numri i vdekjeve pritet të rritet me ardhjen e të dhënave të reja nga shtëpitë e kujdesit dhe banesat private.
Europianët kanë përjetuar temperatura ekstreme e cila është lidhur me dhjetëra viktima, duke thyer rekorde, duke shkaktuar probleme në prodhimin e energjisë dhe duke dëmtuar infrastrukturën.
Shkencëtarët kanë deklaruar se kjo valë të nxehti, e cila nisi më 20 qershor, është më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Europë, një kontinent ku klima po ndryshon më shpejt se mesatarja globale.
Nxehtësia ekstreme zbutet në Francë
Vala e të nxehtit është zhvendosur drejt lindjes. Megjithatë, ndërsa shërbimi meteorologjik francez njoftoi se temperaturat ekstreme janë zbutur në pjesën më të madhe të vendit, disa zona në verilindje mbeten ende nën paralajmërim për valë të nxehti.
Ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha për gazetën La Tribune se efektet e valës së të nxehtit mund të vazhdojnë deri në 10 ditë pas rënies së temperaturave.
'Ky episod nuk ka përfunduar ende', tha ajo për televizionin BFM.
Sipas Santé Publique France, shumica e viktimave ishin persona mbi 65 vjeç, megjithëse pasojat shëndetësore të temperaturave ekstreme kanë prekur të gjitha kategoritë e popullsisë. /Reuters/
© SYRI.net