DW/ Venezuelë: Numri i të vdekurve mund të arrijë në mijëra vetë

DW/ Venezuelë: Numri i të vdekurve mund të arrijë në mijëra vetë

09:07, 26/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas dy tërmeteve të rënda në Venezuelë, numri i viktimave vazhdon të rritet. Sipas kryetarit të parlamentit, Jorge Rodríguez, zyrtarisht janë regjistruar të paktën 235 të vdekur (26.06. në mëngjes) dhe më shumë se 1.500 të plagosur. Në Venezuelë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Ekspertët mendojnë se numri i viktimave është shumë më i lartë dhe mund të shkojë në mijëra. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS) mund të ketë më shumë se 10.000 të vdekur, sepse gjatë tërmeteve u shembën shumë ndërtesa.

Në faqet e internetit të krijuara pas tërmeteve, si edhe në rrjetet sociale, qarkullojnë ndërkohë lista me emrat e njerëzve që kërkohen nga familjet e tyre. Sipas këtyre burimeve një ditë pas katastrofës si të zhdukur konsiderohen rreth 12.000 vetë, por këto të dhëna nuk mund të verifikohen ende zyrttarisht.

Tërmeti më i fortë prej më shumë se një shekulli

Pas tërmeteve në shumë vende u ndërpre furnizimi me energji elektrike dhe ujë; gjithashtu sipas banorëve edhe rrjeti i telefonisë mobile dhe interneti funksionojë vetëm pjesërisht. Trafiku hekurudhor u pezullua, aeroporti ndërkombëtar u mbyll për shkak të dëmtimeve. Edhe metroja në Karakas ndaloi punën. Po ashtu edhe shkollat janë mbyllur.

Edhe një ditë pas tërmetit herë pas here vazhdojnë të shemben ende ndërtesa. Shumë shtëpi në Venezuelë nuk i përmbushin standardet moderne për tërmetet.

Nga filmimet ajrore duket shkalla e shkatërrimit:  përgjatë bregdetit shihen grumbujt e rrënojave të ndërtesave të larta të shembura.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) e vlerësoi fuqinë e dy tërmeteve me magnitudë 7,2 dhe 7,5. Sipas USGS mes dy dridhjeve kishte vetëm 39 sekonda diferencë. Po ashtu janë regjistruar edhe rreth 20 pasgoditje. Ky ishte tërmeti më i fortë në Venezuelë prej më shumë se një shekull./ DW/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco