Trump: Numër 'shkatërrues' viktimash pas tërmeteve në Venezuelë, SHBA ofron ndihmë

Trump: Numër 'shkatërrues' viktimash pas tërmeteve në Venezuelë, SHBA ofron ndihmë

07:48, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm që goditi Venezuelën, duke e cilësuar situatën si tragjike dhe duke shprehur gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se “dy tërmetet e mëdha që sapo goditën popullin e madh të Venezuelës janë masive në shkallë të gjerë dhe kanë lënë një numër shkatërrues vdekjesh”.

“SHBA-të janë të gatshme, të përgatitura dhe të afta të ndihmojnë”, shkroi ai, duke shtuar se ka udhëzuar të gjitha agjencitë qeveritare amerikane të përgatiten për të vepruar me shpejtësi.

“Ne do të jemi atje për miqtë tanë të rinj dhe të shkëlqyer. Raportet e hershme nuk janë të mira!”, theksoi Trump.

Ndërkohë, presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, njoftoi se të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe rreth 700 të tjerë janë plagosur si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike.

Sipas autoriteteve venezueliane, ky është bilanci i parë zyrtar i viktimave pas tërmetit, i cili shkaktoi dëme të mëdha materiale në disa rajone të vendit.

Rodríguez bëri të ditur se ekipet e emergjencës dhe shpëtimit po vazhdojnë operacionet në zonat më të prekura, ndërsa paralajmëroi se numri i viktimave dhe i të plagosurve mund të ndryshojë me vazhdimin e kërkimeve.

Tërmeti shkaktoi shembje ndërtesash dhe dëme të konsiderueshme në pjesë të ndryshme të Venezuelës, përfshirë kryeqytetin Caracas, ku dhjetëra persona raportohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Autoritetet po vijojnë përpjekjet për gjetjen dhe nxjerrjen e të mbijetuarve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco