Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha sot se, pavarësisht progresit të mirë, shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë vazhdon të tejkalojë kapacitetet e reagimit.
Ai theksoi se rreziku global i një shpërthimi të Ebolës mbetet i ulët, por bëri thirrje për masa më të shtuara për të luftuar llojin e rrallë të virusit Bundibugyo.
“Gjurmimi i kontakteve është i pamjaftueshëm, kapaciteti i trajtimit është i pamjaftueshëm, varrimet e sigurta mbeten një sfidë e madhe dhe sistemet shëndetësore janë nën presion”, tha Ghebreyesus , sipas Hina.
Epiqendra e shpërthimit aktual të Ebolës është në Kongo, ku janë regjistruar 1,094 raste të konfirmuara, me 277 vdekje, ndërsa Uganda ka konfirmuar 20 raste dhe dy vdekje. Sipas këtyre shifrave, shpërthimi aktual ka pasur numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara në muajin e parë.
Ndërkohë, Franca ka konfirmuar rastin e parë të Ebolës, një mjek që u kthye nga një mision humanitar në Republikën Demokratike të Kongos, dhe Ministria Franceze e Shëndetësisë njoftoi se ai është në gjendje të qëndrueshme.
Shpërthimi aktual është shkaktuar nga lloji Bundibugyo i virusit, për të cilin nuk ka kurë ose vaksinë, dhe punonjësit e shëndetësisë janë veçanërisht në rrezik, pasi Ebola përhapet përmes lëngjeve trupore. Sipas të dhënave të fundit të OBSH-së, nga 75 punonjës të shëndetësisë të infektuar në Kongo, 17 kanë vdekur.
© SYRI.net