Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa zyrtarë amerikanë kanë publikuar detaje të reja mbi përmbajtjen e saj.
Sipas dokumentit prej 14 paragrafësh, Irani angazhohet se nuk do të zotërojë kurrë armë bërthamore. Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit, megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë detyrim financiar për të kontribuar në këtë fond.
Një nga pikat kryesore të marrëveshjes është ndërprerja e menjëhershme dhe e përhershme e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.
Dokumenti përcakton gjithashtu se SHBA-ja dhe Irani do të angazhohen në negociata për të arritur një marrëveshje përfundimtare brenda një afati maksimal prej 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje nëse të dyja palët bien dakord.
Megjithatë, presidenti Trump ka theksuar më herët se marrëveshja nuk duhet konsideruar ende si përfundimtare. Ai paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të rifillojnë operacionet ushtarake në rast se marrëveshja dështon ose nuk respektohet nga pala iraniane.
”Nëse nuk sillen mirë, ne do të rikthehemi menjëherë te bombardimet", deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni do të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj çdo shkeljeje të mundshme të marrëveshjes.
© SYRI.net