Zyrtarë amerikanë kanë publikuar draftin e memorandumit të mirëkuptimi (MOU) me 14 pika ndërmjet Washingtonit dhe Teheranit, i cili synon t’i japë fund operacioneve ushtarake në rajon, të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit dhe të hapë rrugën për një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve brenda 60 ditëve.
Dokumenti përfshin angazhime në fushën e sigurisë, lundrimit detar, çështjeve bërthamore, heqjes së sanksioneve dhe bashkëpunimit ekonomik, duke u konsideruar si një kornizë për normalizimin e marrëdhënieve pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh.
Sipas draftit, SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre do të ndalin menjëherë dhe përgjithmonë operacionet ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe do të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës në të ardhmen. Palët angazhohen gjithashtu të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme.
Memorandumi parashikon që marrëveshja përfundimtare të arrihet brenda 60 ditëve, me mundësi zgjatjeje nëse të dyja palët bien dakord.
Në aspektin e sigurisë detare, SHBA-ja do të nisë heqjen e bllokadës detare dhe kufizimeve të tjera ndaj Iranit, proces që pritet të përfundojë brenda 30 ditëve. Po ashtu, forcat amerikane do të tërhiqen nga zonat pranë Iranit pas arritjes së marrëveshjes finale. Nga ana tjetër, Teherani do të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit, si dhe do të ndërmarrë hapa për pastrimin e minave detare dhe rikthimin e lundrimit normal në rajon.
Një nga pikat më të rëndësishme të draftit është paketa ekonomike e rindërtimit, ku SHBA-ja, në koordinim me partnerët rajonalë, do të hartojë një plan zhvillimi për Iranin me vlerë minimale prej 300 miliardë dollarësh.
Dokumenti parashikon gjithashtu heqjen graduale të sanksioneve ndaj Iranit, përfshirë masat e lidhura me OKB-në, rezolutat e bordit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe sanksionet amerikane. Departamenti amerikan i Thesarit do të japë menjëherë autorizime për eksportin e naftës iraniane, ndërsa asetet dhe fondet e ngrira të Iranit do të lirohen sipas procedurave që do të përcaktohen gjatë negociatave.
Në fushën bërthamore, Irani do të riafirmojë angazhimin se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe do të negociojë për rezervat e uraniumit të pasuruar dhe aktivitetet e tjera të lidhura me programin e tij bërthamor. Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Teherani do të ruajë status quo-në e programit bërthamor, ndërsa Washingtoni nuk do të vendosë sanksione të reja apo forca shtesë në rajon.
Për të mbikëqyrur zbatimin e memorandumit do të krijohet një mekanizëm i përbashkët monitorimi, ndërsa negociatat për çështjet e mbetura do të nisin pas zbatimit të pikave kryesore që lidhen me armëpushimin, sigurinë detare, eksportet e naftës dhe lirimin e aseteve të ngrira.
Sipas draftit, marrëveshja përfundimtare pritet të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i dhënë asaj fuqi të plotë ndërkombëtare.
Sipas draftit, marrëveshja përfshin këto pika:
1. Përfundimi i operacioneve ushtarake: SHBA-ja, Irani dhe aleatët e tyre do t’u japin fund menjëherë dhe përgjithmonë operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe do të shmangin kërcënimet ose përdorimin e forcës në të ardhmen.
2. Respektimi i sovranitetit: Të dyja palët do të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme.
3. Afati për marrëveshjen përfundimtare: Washingtoni dhe Teherani do të synojnë të arrijnë marrëveshjen përfundimtare brenda 60 ditëve, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.
4.Përfundimi i bllokadës detare: SHBA-ja do të nisë heqjen e bllokadës detare dhe kufizimeve të tjera ndaj Iranit menjëherë dhe do ta përfundojë procesin brenda 30 ditëve. Forcat amerikane do të tërhiqen gjithashtu nga zonat pranë Iranit pas marrëveshjes përfundimtare.
5. Ngushtica e Hormuzit: Irani do të lehtësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit, si dhe do të ndërmarrë përpjekje për pastrimin e minave dhe rikthimin e lundrimit normal.
6. Paketa e rindërtimit: SHBA-ja, në koordinim me partnerët rajonalë, do të zhvillojë një plan rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik për Iranin me vlerë minimale prej 300 miliardë dollarësh.
7. Heqja e sanksioneve: SHBA-ja do të heqë sanksionet ndaj Iranit, përfshirë masat e lidhura me OKB-në, rezolutat e bordit të IAEA-së dhe sanksionet amerikane.
8. Angazhimet bërthamore: Irani do të riafirmojë se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe do të negociojë për rezervat e uraniumit të pasuruar dhe aktivitetet e tjera bërthamore.
9. Ruajtja e status quo-së gjatë bisedimeve: Deri në marrëveshjen përfundimtare, Irani do të ruajë gjendjen aktuale të programit bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja ose forca shtesë.
10. Leje për eksportin e naftës: Departamenti amerikan i Thesarit do të japë menjëherë leje për eksportin e naftës iraniane dhe shërbimet përkatëse.
11. Lirimi i aseteve të ngrira: Washingtoni do të lirojë fondet dhe asetet e ngrira të Iranit, sipas procedurave që do të përcaktohen gjatë negociatave.
12. Mekanizëm monitorimi: Do të krijohet një mekanizëm i përbashkët ekzekutiv për të mbikëqyrur zbatimin e memorandumit.
13. Negociatat përfundimtare: Bisedimet për çështjet e mbetura do të nisin pas zbatimit të pikave kyç që lidhen me armëpushimin, sigurinë detare, eksportet e naftës dhe asetet e ngrira.
14. Miratimi nga OKB-ja: Marrëveshja përfundimtare do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
© SYRI.net