Hetimet për ‘snajperët e fundjavës’ në Sarajevë, sekuestrohen fotografi dhe një silenciator në Itali

Hetimet për ‘snajperët e fundjavës’ në Sarajevë, sekuestrohen fotografi dhe një silenciator në Itali

15:33, 17/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi/

Milano/ Autoritetet italiane kanë sekuestruar një fotografi të konsideruar "domethënëse" dhe një silenciator armësh gjatë një kontrolli të kryer në banesën e një prej katër personave nën hetim për vrasje, në kuadër të çështjes së njohur si ajo e "snajperëve të fundjavës" gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1992-1995.

Kontrolli u zhvillua mëngjesin e së mërkurës nga karabinierët e njësisë speciale ROS, me urdhër të Prokurorisë së Milanos, e cila po heton pretendimet se shtetas europianë udhëtonin drejt Bosnjës për të marrë pjesë në sulme ndaj civilëve gjatë luftës.

Materiali i sekuestruar u gjet në banesën e një 64-vjeçari që jeton në provincën e Alessandrias dhe që më parë ka punuar në administratën publike në Genova.

Fotografia e sekuestruar, e përshkruar nga ish-partnerja e tij, e paraqet të dyshuarin me veshje ushtarake në një zonë që besohet të jetë Bosnja. Në pjesën e pasme të saj ndodhej një shënim në gjuhë të huaj, i cili sipas hetuesve mund të ketë shërbyer si autorizim për hyrje në zonat e luftës.

Sipas dëshmisë së ish-partneres, në fotografi ndodheshin edhe shenja që, sipas saj, përfaqësonin një lloj numërimi të personave të vrarë.

Gruaja ka deklaruar para hetuesve se 64-vjeçari i kishte rrëfyer se kishte marrë pjesë në udhëtime drejt Bosnjës gjatë luftës së viteve '90.

"Ai më tha se udhëtonte nga Milano me persona të tjerë që shkonin atje gjatë fundjavave për të qëlluar ndaj myslimanëve", citohet të ketë dëshmuar ajo.

Hetimet kanë nisur pas një kallëzimi të bërë nga shkrimtari italian Ezio Gavazzeni, i cili ka mbledhur dëshmi mbi persona që dyshohet se paguanin milicitë serbo-boshnjake për të marrë pjesë në të ashtuquajturat "safari të tmerrit".

Sipas prokurorisë, katër të dyshuarit, të moshës nga 64 deri në 80 vjeç,  akuzohen për vrasje me paramendim të rënduar, me pretendimin se kanë qëlluar ndaj civilëve, përfshirë gra, të moshuar dhe fëmijë, nga kodrat përreth Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit.

Për më shumë se tre vjet, Sarajeva u mbajt nën rrethim nga forcat serbo-boshnjake, në një nga episodet më tragjike të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Më 29 qershor, në selinë e Eurojust në Hagë, do të zhvillohet një takim koordinues mes prokurorëve dhe hetuesve nga Italia, Bosnja dhe Hercegovina, Belgjika, Zvicra dhe Austria për të avancuar hetimet ndërkombëtare.

Hetuesit theksojnë se personat nën hetim konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco